Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka hapur një tender për të numëruar votat me Inteligjencë Artificiale. Kreu i KQZ-së ka “kopjuar” në këtë rast vetë kryeministrin Edi Rama, i cili “emëroi” në qeveri Diellën, një ministre dixhitale.
Duket se politika e mazhorancës është implementuar edhe në proceset zgjedhore, teksa së fundmi është hapur edhe një tender i majmë për të përdorur Inteligjencën.
Sipas dokumenteve që disponon redaksia e VoxNews, bëhet fjalë për procedurën e prokurimit “mirëmbajtja e moduleve/sistemeve që KQZ disponon dhe shërbimi i asistencës me Inteligjencë Artificiale (AI Assistant/chatbot) për zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie, për 2 muaj”.
Nisur edhe nga afati kohor, prej 2 muajsh, KQZ-ja synon që t’a përdorë sistemin në zgjedhjet e pjesshme vendore në Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë, të cilat do të mbahen në datën 9 nëntor. Ndërkohë, pritet që shërbimi të përdoret edhe në zgjedhjet e pjesshme në Tiranë, data e së cilës do të vendoset pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në dokumentet që ka hulumtuar VoxNews shkruhet se fondi limit i tenderit është 17.400.000 lekë, ndërkohë që kërkohen edhe kamera të posaçme sigurie që arrijnë të numërojnë edhe votat.
Ndërkohë, ajo që bie në sy në këtë tender është se procedura do të bëhet me negocim, pa njoftim, çka do të thotë se fituesi është paracaktuar dhe s’do të ketë garë. E gjithë kjo shumë, rreth 180 mijë euro, do t’i jepet një firmë që do të implementojë këto sisteme.
Në fakt, disa javë më parë, vetë Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, deklaroi se shpenzimet e gjithë këtij procesi do të mbulohen nga donacionet e partnerëve ndërkombëtarë.
“Kemi filluar në versionin eksperimental të përdorimit të Inteligjencës Artificiale për kërkimin dhe marrjen e informacioneve zgjedhore nëpërmjet faqes së internetit të KQZ si dhe për të ofruar asistencë dhe krijuar facilitet për administratën zgjedhore, por edhe për subjekte të tjera të përfshira në procesin zgjedhor, mundësi për ta marrë dhe përpunuar këtë informacion, apo aspekte të ndryshme të procesit zgjedhor”, tha ai.
Më tej shtoi së bëhet fjalë për numërimin dhe vlerësimin e fletëve të votimit, si dhe nxjerrjen e rezultateve. “Ky projekt do shërbejë si test dhe për momentin nuk do zëvendësojë mënyrën e numërimit dhe vlerësimit të votave, e cila do mbetet mënyra zyrtare e referimit për këtë aspekt të procesit zgjedhor”, deklaroi Celibashi.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.