
Zgjedhjet e pjesshme vendore të mbajtura sot në pesë bashki të vendit, konkrretisht në Vlorë, Kukës, Dibër, Rrogozhinë dhe Fushë-Arrëz, kanë prodhuar një tjetër rekord negativ: pjesëmarrje minimaliste dhe një interes thuajse të shuar nga qytetarët për procesin elektoral.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara pas mbylljes së qendrave të votimit, pjesëmarrja varion nga më pak se 19 për qind në disa bashki, deri në nivele që e bëjnë këtë proces më shumë formal sesa politik. Kjo tregon jo vetëm braktisjen fizike të Shqipërisë nga një pjesë e madhe e qytetarëve, por mbi të gjitha, braktisjen morale dhe psikologjike të politikës.
Vlora, një nga qytetet me simbolikë historike dhe politike në vend, shënoi pjesëmarrjen më të ulët në shkallë kombëtare, vetëm 12.37 për qind të votuesve dolën në qendrat e votimit. Ky është një rekord negativ që tregon jo vetëm mosbesimin e qytetarëve ndaj garës, por edhe ndarjen e thellë mes politikës dhe shoqërisë. Në një qytet që tradicionalisht ka pasur peshë të veçantë elektorale, ky rezultat është një sinjal alarmi për të gjitha forcat politike: qytetarët nuk po refuzojnë vetëm kandidatët, por vetë sistemin që i prodhon ata.
Në kushtet kur më shumë se një dekadë qeverisje e pandërprerë ka prodhuar pak shpresë për ndryshim, shqiptarët duket se nuk besojnë më se vota mund të sjellë ndonjë ndryshim real. Mandati i katërt i të njëjtës qeveri ka ngurtësuar perceptimin se rotacioni është i pamundur dhe se proceset zgjedhore janë të paracaktuara.
Kjo gjendje shpjegon pse në çdo palë zgjedhje, frekuenca e pjesëmarrjes bie ndjeshëm. Zhgënjimi është kthyer në apati, ndërsa apatia po kthehet në një formë të re proteste: heshtja.
Në këtë realitet, politika shqiptare përballet me një krizë legjitimiteti që shkon përtej rezultateve të një dite votimi. Një demokraci ku shumica e qytetarëve refuzojnë të votojnë, është një demokraci e zbehur, ku humbësi kryesor nuk është opozita apo mazhoranca, por vetë besimi publik te sistemi.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.