“Rama po na kërkon të bëjmë burg për Paketën e Maleve”, zyrtari vendor tregon se përse ndërtimi i hartave për investime nuk është aq i thjeshtë

27 Tetor 2025, 09:45Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese

Kur Kryeministri Edi Rama kërkoi në formë ultimatumi hartat me zonat prioritare për investime në kuadër të Paketës së Maleve, shumë kryebashkiakë u përcollën, ashtu si ministri Besfort Lamallari kur mësoi se do të drejtonte drejtësinë’.

Kështu deklaron për Voxnews.al A.B*., me detyrë shef urbanistike në një prej bashkive të vogla në Shqipërinë e Mesme.

Si një zyrtar që e njeh nga brenda procesin e identifikimit të tokave në letra pa pronarë, por de fakto me zotërues, ai thotë se ndërtimi i këtyre hartave nuk është një proces aq i thjeshtë sa e përshkroi Kryeministri në fjalën e mbajtur para kryebashkiakëve, kur iu tha se Paketa e Maleve do t’u japë fund konflikteve të shkaktuara nga ligji 7501.

“Paketa e Maleve në formën e kërkuar është thikë me dy presa. Nga njëra anë mund të çlirojë juridikisht për investime prona që sot janë në përdorim pa dokumentacione. Nga ana tjetër mund të shtojë konfliktet për pronësinë”, thotë A.B.

Sipas tij, porosia që u la Kryeministri kryebashkiakëve për të shmangur zyrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, apo për të mos pritur përgjigjet e këtyre zyrave në lidhje me statusin e pronës për të cilën kërkohet informacion, në rastin më të mirë është një lapsus i kreut të Qeverisë dhe në rastin më të keq ‘një ftesë për kryebashkiakët që të bëjnë edhe burg për Paketën e Maleve’.

“Informacioni nga Kadastra nuk mund të shmanget kur bëhet fjalë për çështje pronash, aq më tepër që nga 100 mijë dosje që janë stok nëpër gjykata, 70 deri në 80 mijë lidhen me konflikte pronësie”, thotë ai.

Bashkitë, vijon A.B., nuk mund të përfshijnë në hartat e Paketës së Maleve një pronë që është duke u kontestuar nëpër gjykata. “Kjo është si t’i thuash burgut hapu”, vijon A.B.

*Shënim: Inicialet A.B. janë vendosur nga redaksia e Voxnews.al pas kërkesës për anonimat nga zyrtari vendor


Video