Ditën e djeshme biznesmeni Behgjet Pacolli, ka reaguar pas raportimeve të ditëve të fundit lidhur me aksionet e shoqërisë koncesionare, duke akuzuar noteren Valbona Selimi për veprime të dyshuara të paligjshme dhe të kryera në mënyrë të fshehtë.
Në deklaratën e tij publike të postuar në rrjetet sociale, Pacolli thekson se gjithë polemikat dhe konfuzioni rreth projektit të Aeroportit të Vlorës janë pasojë e veprimeve të noteres Selimi, e cila, sipas tij, ka përfshirë dokumente të pavërteta në procesin e transferimit të aksioneve.
VoxNews kontaktoi me noteren Valbona Selimi për ta pyetur në lidhje me akuzat e bëra nga biznesmeni Behgjet Pacolli. Selimi tha për VoxNews se nuk mund të shprehem në lidhje me aktet e nënshkruara nga palët.
"Për të ruajtur konfidencialitetin e veprimeve nuk mund të shprehem lidhur me aktet e nënshkruara nga palët. Ju lutem të mirëkuptoni këtë qëndrim, pa e keqinterpretuar atë", u shpreh noterja Selimi për VoxNews.
VoxNews e pyeti noteren Selimi nëse biznesmeni Behgjet Pacolli ka qenë i pranishëm në zyrën e saj për të nënshkruar transferimin e akioneve. Deri në publikimin e këtij artikulli ende nuk kemi asnjë reagimi nga noterja Valbona Selimi në lidhje me pyetjen e fundit.
Kujtojmë se Prokuroria e Tiranës ka strukturuar një grup prokurorësh për hetimin e çështjes së aeroportit të Vlorës.
Hetimi është regjistruar për 3 individë: biznesmenin Behgjet Pacolli me të vëllanë Emin Pacolli, si dhe shtetasin Nelson Çela, administrator i kompanisë mëmë në Zvicër Mabco Construction S.A.
Të tre ata janë zyrtarisht nën hetim për mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik, si dhe falsifikim të dokumenteve dhe akteve.
Në hetim dyshohet për indicie se Pacolli është duke lidhur ujdi shumë larg për të vënë kolateral aeroportin e Vlorës. Veprimet e tij kanë lënë gjurmë pranë Astanas, Kazakistan.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.