Ndryshimet e shpeshta të ligjit kanë sjellë që godinat e gjyqësorit të mbeten pa pajisje sigurie, ku për pasojë në datën 9 tetor 2025 një gjyqtar u vra disa minuta pasi kishte dhënë vendimin në Gjykatën e Apelit. Në të njëjtën ditë me vrasjen, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka shpallur një tender në Agjencinë e Prokurimit Publik, i cili bën fjalë për një shtesë kati.
Në dokumente përcaktohet se do bëhet shtesë pikërisht te sporteli i hyrjes për në gjykatë, te i njëjti vend që kontrollohen të gjithë personat apo palët që kanë proces në atë gjykatë. Te i njëjti vend që është edhe detektori i metaleve, i cili natyrisht që është vënë në Apelin e Tiranës me ndonjë tender.
Në rastin e vrasjes, detektori e ka bërë punën pasi ka pikasur mjet metalik, ndërkohë që neglizhenca e punonjësve ka sjellë që autori të kishte armën në seancë gjyqësore.

Dy vite e gjysëm më parë, hyri në fuqi harta e re gjyqësore, e cila përcaktonte vetëm një gjykatë Apeli, që do të ishte në Tiranë. Të gjithë qytetarët duhet të vijnë në kryeqytet për të zhvilluar procesin në apel, ndërkohë që godina ishte e njëjta që ka shërbyer edhe më parë si Gjykata e Apelit të Tiranës.
Të gjithë gjyqtarët e Apelit i zhvillojnë gjyqet në disa dhoma të vogla që shërbejnë si sallë, ndërkohë që në shumë raste përdoren edhe zyrat e tyre. Ka një pamjaftueshmëri për të zhvilluar një gjyq të drejtë, për thirrjen e palëve apo edhe të dëshmitarëve.
Ndërkohë, në gjithë këtë situatë, sipas dokumenteve që disponon VoxNews, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka hapur një tender me objekt “rikonstruksion, shtesë kati mbi objektin 1 kat, mbingritje dhe ndërtim solete me konstruksion metalik për nevojat e Gjykatës Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm”.
Mësohet se fondi limit është 12,950,000 lekë, ose rreth 130 mijë euro. Bëhet fjalë për “ngritje strukturash prej çeliku për struktura”, “ngritje dhe punime të ngjashme për korniza për çati dhe mbulesa” apo edhe “punime ndërtimi për gjykata”. Tenderi është shpallur në APP në datën 6 tetor, ditën që gjyqtari u vra disa sekonda pasi kishte dhënë një vendim.

Por, kush duhet të ruante godinën apo edhe gjyqtarët? Orët dhe ditët pas vrasjes së gjyqtarit ka nisur një debat se kush duhet të ruante godinat apo edhe gjyqtarët. Ministria e Brendshme thotë se ligji nuk e parashikon ruajtjen me policë. Në godinë ishin punonjësit e Illyrian Guard, një institucion shtetëror në varësi 100 % të Ministrisë së Brendshme.
Por, së fundmi kanë dalë shkresa të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, i cili me reformën e re të gjykatave ka marr një rol edhe të sigurisë. KLGj-ja thotë se ka dërguar shkresa policisë për të ruajtur godinat, ndërkohë që vetë ky Këshill bën tendera me vlera miliona euro për sigurinë kibernetike apo edhe pajisje elektronike. Disa javë më parë, VoxNews raportoi një super tender me vlerë 10 milionë euro, një procedurë tepër e diskutuar, ku pati edhe dyshime për paracaktim të fituesit.
Ndërkohë, ditët e fundit, madje në ditën që gjyqtari është vrarë, KLGj-ja ka hapur tender me objekt “blerje pajisje elektronike F-V”. Fondi limit është 100,508,333, ose rreth 1.1 milionë euro. Bëhet fjalë për servera, kamera dixhitale, monitorë, kompjutera personale, mikrofonë apo edhe televizor.
Disa tendera me vlera të mëdha, për të treguar se paratë s’kanë munguar. Por nëse këto para do të shkonin direkt për sigurinë e godinave, të gjyqtarëve, apo punësimin e rojeve të sigurisë, ndoshta s’do të kishim ngjarjen më të rëndë që i ka ndodhur vetë sistemit gjyqësor.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.