Hallet e Koçiut si ministre dhe hallet reale të policëve dhe qytetarëve!

23 Shtator 2025, 15:46Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu

Kur në mediat online doli të hënën lajmi i shkarkimit të zv.ministrit të Brendshëm, Andi Mahila me arsyetimin se ishte fotografuar duke konsumuar cigare në një ambient të mbyllur, pak e besuan që në morinë e informacionit herë të rremë e herë në formë memesh ky lajm të ishte i vërtetë.

Por ja që kështu ndodhi.

Pak orë me vonë, vetë ministrja e Brendshme, Albana Koçiu e bën edhe më qesharake arsyen e shkarkimit të zëvendësministrit, që në këtë post kishte kaluar më herët si eprorë Bledi Çuçin, Taulant Ballën dhe Ervin Hoxhën.

Pa i përmendur emrin në asnjë rresht, ministrja tha se kishte marrë një denoncim nga një bashkëatdhetar shqiptar në Nju Jork. Ajo nuk tregon as kohën kur ka marrë denoncimin dhe as kohën kur zëvendësministri konsumoi cigaren në një ambient të mbyllur.

Megjithatë, ministrja thotë se pasi ka bërë verifikimet përkatëse i ka komunikuar zëvendësministrit shkarkimin. Në të njëjtin reagim, Koçiu nuk i përmend në asnjë rast emrin Andi Mahilës, por thekson se ‘gabimi që ai ka bërë është i pafalshëm’.

Pa i hyrë debatit nëse është konsumuar duhani në ambiente të ndaluara apo jo, njoftimi i Albana Koçiut për shkarkimin e Andi Mahilës është shumë ‘nordik’ për t’u marrë seriozisht për realitetin shqiptar.

….një realitet ku efektivët e policisë qëndrojnë nga 12 orë në shërbim dhe presin për javë dhe muaj me radhë dietat.

Një realitet ku performanca e policit matet me sasinë e gjobave që vendos në rrugët e vendit, me dhe pa shkelje. Një realitet ku drejtues policie përfundojnë në dyert e SPAK me akuza për bashkëpunim me bandat, apo më keq akoma si pjesë e bandave.

Këto janë problemet thelbësore të qytetarëve dhe jo cigarja e zëvendësministrit të brendshëm, që më shumë se sa arsye, u gjet si alibi për ta larguar nga detyra.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video