Një zëvendësministër pa gjurmë: Rasti i Andi Memetit dhe rreziku për besueshmërinë e Shqipërisë në BE

22 Shtator 2025, 20:43Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Andi Memeti

Më 20 mars 2025, qeveria shqiptare e emëroi Andi Memetin në postin e zëvendësministrit të Financave. Në letër, një “profesionist me 19 vite eksperiencë në Londër”, siç ai vetë u prezantua përmes portalit “Deputeti që duam”. Në publik, një premtim për të sjellë “frymën europiane” në financat shqiptare. Por sapo nis të kërkosh gjurmë të këtij profili, realiteti shfaqet krejt ndryshe: bosh, kontradiktor dhe i mbushur me hije.

Një karrierë e shpikur?

Në mars 2025, qeveria shqiptare e emëroi Memetin me krenari, duke e reklamuar si “ekspertin e kthyer nga Londra”. CV-ja e tij zyrtare e prezantonte si një profesionist që kishte kapur majat në Citibank dhe më herët në Deloitte LLP, në role kyçe auditimi e menaxhimi.

Por, investigimi ynë dhe verifikimet e kryera pranë, tregojnë se ky profil është një ndërtim fiktiv, një mashtrim i pastër. Një kërkim i thjeshtë në internet nuk sjell asnjë rezultat. Asnjë komunikatë, asnjë raport, asnjë shënim që të vërtetojë praninë e tij në këto institucione. Profili i Andi Memetit ne LinkedIn është hapur vetëm mbas marrjes së postit si Zv. Ministër në Mars 2025. Siç është standardi i çdo specialisti që ka kaluar dy dekada në Londër dhe ka mbajt pozicionet të cilat prezantohen me dinjitet. Thjesht, asgjë. Një CV që qëndron vetëm mbi letër, por nuk mbështetet në realitet.

Për më tepër, diplomat në fushën e politikës dhe sigurisë nuk lidhen me auditimin financiar. Nuk ka asnjë certifikim të detyrueshëm qe eshte detyrim për cdo nenpunes auditues ne nivele te tilla (ACCA, CPA, CIA).

Çfarë zbuluan verifikimet?

Investigimet tona vajtën më tej, duke kërkuar të dhëna zyrtare në institucionit ku pretendon se ka punuar.

Citibank, Londër (2022–2025): Në CV ai deklaron pozicionin “Audit Manager – Vice President”, por fakti është se asnjë gjurmë të punësimit të tij në këtë institucion. Nga Citibank është konfirmuar Andi Memeti nuk e ka ushtruar këtë funksion.

Deloitte LLP (2017–2021): Në CV deklaron se ka punuar si Audit Assistant Manager, por fakti është se asnjë regjistrim i punësimit në këtë kompani. Asnjë projekt, asnjë klient i verifikueshëm. Deloitte konfirmon mungesën e emrit të tij në stafin e asaj periudhë.

Një pasuri që nuk përputhet me të ardhurat

Në Mbretërinë e Bashkuar, Andi Memeti figuron si drejtor i dy shoqërive si aksioner i vetëm: Think Consultancy Ltd e hapur ne vitin 2012-2025 dhe dhe Global Resources Group Ltd 2022-2025. Të dyja kompanitë kanë dorëzuar bilance të rregullta pranë “Companies House”, por shifrat tregojnë një aktivitet financiar pothuajse inekzistent. Sipas të dhënave zyrtare nga companies House, aktiviteti i Andi Memetit në Londër ka qenë:

Një zëvendësministër pa gjurmë: Rasti i Andi Memetit

Pasuritë e deklaruara nga Andi Memeti

Sipas deklaratës “Para fillimit të detyrës” dorëzuar në ILDKPKI, prill 2025, Memeti zotëron pasuri që shkojnë në miliona euro/pound.

Një zëvendësministër pa gjurmë: Rasti i Andi Memetit

Nga njëra anë, kompanitë e tij në Britani raportojnë net assets minimale: Think Consultancy Ltd prej vitesh rezulton në humbje ose zero aktivitet; Global Resources Group Ltd raporton pasuri fikse rreth £13,500, me një punonjës të vetëm dhe pa të ardhura domethënëse.

Nga ana tjetër, pasuritë e deklaruara nga Memeti janë masive. Tre apartamente në Mbretërinë e Bashkuar me vlerë mbi 750 mijë paund, një apartament tjetër në Shqipëri, depozita bankare dhe fonde pensioni mbi 100 mijë paund, si dhe aksione në kompani private të regjistruara në Britani.

Të gjitha këto, sipas tij, janë blerë me “kursime nga emigracioni” dhe “kredi bankare”. Por të ardhurat e fundit të deklaruara – rreth 31 mijë paund për tre muaj – janë shumë larg shifrave që do të justifikonin një pasuri të tillë.

Në anën tjetër, Memeti mban mbi supe kredi bankare mbi gjysmë milioni paund në Londër, si dhe një kredi prej më shumë se 9 milionë lekësh në Shqipëri. Një profil financiar kontradiktor: shumë prona, shumë borxhe, shumë pak të ardhura.

Nga emigranti në Londër, tek Zyrtari Kombëtar Autorizues

Por më shqetësuesja nuk është vetëm pasuria e dyshimtë apo mungesa e gjurmëve profesionale. Sot, si zëvendësministër i Financave, Andi Memeti mban mbi supe rolin e Zyrtarit Kombëtar Autorizues (NAO). Ky funksion nuk është thjesht një titull burokratik. Ai është zemra e marrëdhënies së Shqipërisë me Bashkimin Evropian për programet IPA dhe IPARD, që sjellin qindra miliona euro në vend dhe garantuesi per sigurinë e Kontrollit të Brendshëm dhe Auditimeve per Reform & Groëth Facility në vlerën 900 milion euro.

Detyra e NAO-s është thelbësore: të garantojë mbrojtjen e interesave financiare të BE-së, të sigurojë Komisionin Evropian për menaxhimin e brendshëm financiar dhe kontrollin e programeve, të japë garanci se paratë e taksapaguesve europianë përdoren me integritet. Pra, pyetja është e thjeshtë: si mundet që Shqipëria, në këtë moment kyç të integrimit evropian, të vendosë në këtë rol dikë me një profil kaq të paqartë, me një karrierë të pakonfirmuar dhe me një pasuri që ngre dyshime?

Pozita e Zyrtarit Kombëtar Autorizues (NAO), që mbahet nga Andi Memeti, nuk është vetëm një funksion administrativ – ajo është porta kryesore e besueshmërisë që Shqipëria ofron ndaj Bashkimit Europian në menaxhimin e fondeve. Çdo raport, çdo auditim, çdo dokument që ai miraton nuk përdoret vetëm brenda vendit – ato kanë ndikim direkt në sistemet financiare ndërkombëtare, në marrëdhëniet diplomatike dhe në vlerësimin e përgjithshëm për ecurinë e Shqipërisë drejt BE-së.

Nëse përvoja profesionale e Memetit është mashtruese, pasojat janë të rënda dhe shumëplanëshe.

Penalitete financiare: BE mund të bllokojë fonde, të kërkojë rikthim të shpenzimeve, ose të vendosë masa korrigjuese me kosto të lartë për buxhetin shqiptar. Dëmtim i integrimit: Besueshmëria e Shqipërisë në kapitujt e administratës publike dhe sundimit të ligjit mund të cënohet rëndë. Humbje e kredibilitetit ndërkombëtar: Një autoritet i rremë në krye të fondeve ndërkombëtare përbën precedent të rrezikshëm që minon imazhin e shtetit shqiptar si partner serioz. Kriza e brendshme institucionale: Shërbimi civil, i ndërtuar mbi vite profesionalizëm dhe integritet, dobësohet kur figura të pa verifikuara marrin rolet më të rëndësishme.

Një rrezik për besueshmërinë e vendit

Pra, pyetja është e thjeshtë: si mundet që Shqipëria, në këtë moment kyç të integrimit evropian, të vendosë në këtë rol dikë me një profil kaq të paqartë, me një karrierë të pakonfirmuar dhe me një pasuri që ngre dyshime?

Bashkimi Evropian i ka kërkuar vazhdimisht Shqipërisë që të forcojë integritetin e institucioneve dhe të mbrojë paratë publike nga keqpërdorimi. Emërimi i një zyrtari me kaq shumë pikëpyetje në një post kyç është një sinjal alarmant.

Si do t’i shpjegojë qeveria shqiptare partnerëve në Bruksel se nuk ka verifikuar nëse zëvendësministri i saj i Financave ka vërtet 19 vite eksperiencë në Londër? Si do t’u garantojë atyre se ky person është i aftë dhe i besueshëm për të mbrojtur qindra milionë euro të fondeve evropiane?

Në vend që të rrisë besimin e BE-së, ky emërim e minon atë. Në vend që të tregojë transparencë dhe profesionalizëm, sjell mjegull dhe dyshime.

Një dosje që nuk mund të mbyllet me heshtje

Rasti i Andi Memetit nuk është thjesht një histori personale. Është një çështje që prek drejtpërdrejt marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe besueshmërinë e vendit në menaxhimin e fondeve të huaja.

Një zyrtar me një karrierë të paqartë, pasuri të dyshimta dhe borxhe të mëdha është sot njeriu që duhet të japë garanci për integritetin financiar të programeve IPA dhe IPARD. Dhe kjo nuk është thjesht ironike – është alarmante. Ky rast nuk është më një çështje etike apo morale. Verifikimet kanë treguar mashtrim të dokumentuar. Kjo është një çështje që bie nën juridiksionin penal dhe kërkon hetim të plotë:

SPAK duhet të nisë menjëherë hetimet për falsifikim dokumentesh, mashtrim institucional dhe deklarim të rremë në dokumente publike.

Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) duhet të marrë në shqyrtim pasurinë dhe deklaratat e Memetit, duke verifikuar nëse ka pasur fshehje ose shtrembërime të qëllimshme.

Njoftim i menjëhershëm i institucioneve të BE-së: Transparenca është e domosdoshme për të siguruar që çdo marrëdhënie financiare me BE të mbetet e ligjshme, transparente dhe e mbrojtur nga praktikat mashtruese.

Rasti Andi Memetit është një kambanë alarmi për gjithë administratën shqiptare. Një zyrtar i vendosur në krye të menaxhimit të fondeve të BE-së rezulton të ketë ngritur mbi mashtrime jo vetëm karrierën, por edhe besueshmërinë e një institucioni të tërë. Ky është një kërcënim i dyfishtë: për paratë e taksapaguesve europianë dhe për integritetin e shtetit shqiptar.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video