Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, të cilat përfaqësojnë majën e sistemit gjyqësor, janë futur në një qorrsokak nga një njeri i vetëm; Sokol Sadushi! Kryetari i Gjykatës së Lartë, i cili duhet të ishte një person me integritet dhe i respektueshëm nga të gjithë, ku fjala ti kishte peshë, duket se është bërë “meme” nga vetë kolegët e tij. Ka mjaftuar një votim në Gjykatën e Lartë, për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese nga radhët e saj, për të treguar kaosin që mbart sistemi, i cili duket se është “qelbur nga koka”.
Rëndom kemi parë, lexuar dhe dëgjuar korrupsion në zgjedhje parlamentare apo lokale. Jemi dëshmitarë të skandaleve në zgjedhjet e Urdhrit të Psikologut, të Stomatologut. Skandale edhe në zgjedhje për kreun e FSHF-së, apo presidentëve të klubeve. Të gjitha këto, edhe në fusha të tjera, vetëm sa përforcojnë idenë se shqiptarët s’dinë të bëjnë zgjedhje të ndershme.
Por, duket se votimi i 30 shtatorit në Gjykatën e Lartë vetëm sa i ka vënë kapak të gjitha proceseve të votimit. Ajka e gjyqësorit nuk ka mundur dot të zhvillojë një votim të ndershëm dhe të drejtë me vetëm 15 persona. Procesi ka një mori shkeljesh, duke filluar nga urdhrat e kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i cili ngriti komisionin me nëpunës civilë, sekretare që janë vartëse të tij. Këta nëpunës vendosën për votën e gjyqtarëve!
Një paradoks i madh, pasi nëpunësit civilë janë të emëruar, ndërkohë që gjyqtarët janë të zgjedhur! Por, “ligjin” në Gjykatën e Lartë e bën vetëm kryetari, dhe jo ligjvënësit me ato ç’kanë shkruar. Por, skandali vijon se komisioni teknik me sekretaret vendosi për vlefshmërinë ose jo të votë së gjyqtarëve. Pikërisht këta “ekspertë”, që duket se kanë marrë urdhra direkt nga eprori i tyre, duke pasur frikë edhe vendin e punës, zbatuan planin e Sadushit; 1 votë e pavlefshme, që rrëzoi të gjithë procesin.
Në këtë rast nuk kanë rëndësi emrat më shumë sesa procesi. Të mos dish të bësh zgjedhje, edhe në kupolën e drejtësisë, do të thotë se çdo reformë e ndërmarrë deri më tani për reformimin e të gjithë sistemit të drejtësisë, të hidhet “në kosh”. Si ka mundësi, që një kandidat merr më shumë vota se tjetri, dhe i dyti e fiton vendin?
Por, vendimmarrja e Sadushit për të dërguar “njeriun” e tij, Asim Vokshi, në Gjykatën Kushtetuese ka sjellë një pështjellim të të gjithë sistemit. Një procesi parregullt që sjell shkatërrimin e gjykatës, e cila duhet të mbrojë dokumentin themeltar të shtetit; Kushtetutën! Shkaktari është një dhe i vetëm, Sokol Sadushi, i cili me manovrat e tij do e kthejë të gjithë sistemin në kolaps. Ai ka “urdhëruar” se kush duhet të qëndrojë në detyrë, kush duhet të ikë nga detyra dhe kush duhet të zgjidhet anëtar të Gjykatës Kushtetuese.
Madje, bën edhe “presione” se kush anëtar duhet të votojë dhe kush jo, pavarësisht se ligji dhe rregulloret që janë miratuar e saktësojnë mjaft qartë. Duket një skemë e orkestruar nga zyra e Sadushit, i cili po tenton që të drejtojë dy gjykatat kryesore.
Votimi i disa ditëve më parë i Gjykatës Kushtetuese, i kërkuar me forcë nga vetë Gjykata e Lartë dhe nga kryetari i saj Sokol Sadushi, vetëm sa futi në një ngërç të madh ligjor të gjithë sistemin. Kushtetuesja mori një vendim tepër të diskutueshëm, duke shkurtuar mandatet e 5 nga 9 anëtarët e saj. Vendimi është veçse një “kapje” e të gjithë sistemit, ku klani i Sokol Sadushit, po tenton që të largojë të padëshiruarit për të dërguar në atë gjykatë “njerëzit” e tij.
Vendimi i Kushtetueses prek direkt mandatet e gjyqtares Sonila Bejtja dhe gjyqtares së dorëhequr në vitin 2024, Elsa Toska. Anëtarët e Kushtetueses kanë vendosur me shumicë votash se mandatet përfundojnë në vitin 2025, kur në fakt duhet të mbaronin në vitin 2028. Vendime kontroverse në kupolën e drejtësisë, ku po tentohet që njerëzit pranë grupeve të mëdha të interesit të kapin postet kyçe, para proceseve të rëndësishme që janë duke u zhvilluar dhe do zhvillohen në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas kalkulimeve të Kushtetueses, përveç Bejtjes dhe Toskës, mandati i preket edhe anëtares Fiona Papajorgji dhe Marsida Xhaferllarit, madje edhe mandati i Ilir Toskës. Arsyeja është se, Kushtetuesja thotë se mandati i tyre ka “filluar” në momentin që paraardhësit e tyre u larguan nga detyra dhe jo nga data kur kanë filluar këta anëtarë. Një paradoks tjetër, pasi mandati fillon në momentin e datës së dekretimit.
Por, çudirat në këtë vendin tonë të vogël sa vijnë e shtohen, por askujt s’i bëjnë më përshtypje. Pasojat janë tepër fatale, me një sistem gjyqësor tepër të brishtë dhe në “dorën” e disa individëve, që drejtohen nga politika. Dhe, përderisa politika ka futur “hundët” thellë në drejtësi, ne do të kemi pikërisht këtë sistem që kemi, ku grupet e mëdha (jo në gjyqësor) influencojnë se kë gjyqtar do të emërojnë dhe kë do të shkarkojnë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.