
Gjykata dhe Prokuroria e Beratit ka përdhosur në mënyrën më banale kodet dhe ligjet e shtetit shqiptar, të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, disa prej të cilave me 3\4 e deputetëve. Pezullimi i drejtorit të AMP-së, Florian Sulejmani, është në kundërshtim të hapur edhe me vetë ligjin për funksionimin e vetë SPAK-ut apo të Gjykatës së Posaçme, pasi hetimi dhe gjykimi i drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura është kompetencë e tyre.
Prokuroria dhe Gjykata e Beratit ka marrë atributet e kësaj akuze, duke sfiduar hapur Prokurorinë e Posaçme, pasi jo vetëm që nuk e deleguan në këtë organ akuze, por vijuan dhe kërkuan në gjykatë një masë sigurie.
Në njoftimin për shtyp, Prokuroria e Beratit është “mburrur” se ka analizuar edhe ligjin për “policinë gjyqësore” apo ligjin për “funksionimin e AMP-së”. Por e ka lexuar gabim!
Në një nga nenet e ligjit për AMP-në, shkruhet teksualisht; Drejtori i Përgjithshëm emëron, transferon, liron dhe përjashton punonjësit e Agjencisë dhe punonjësit administrativë! Ku është shkelja me transferimin e punonjësve?! Apo më saktë, çfarë vepre penale ka kryer drejtori kur ka zbatuar ligjin e AMP-së?!
Por, le t’i marrim faktet me radhë. Me një njoftim të beftë, Prokuroria e Beratit nxori një njoftim për shtyp, të titulluar “me kërkesë të Prokurorisë Berat, pezullohet nga detyra Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore”. Pyetja e parë që të lind natyrshëm është se çfarë lidhje ka Prokuroria e Beratit me drejtorin e AMP-së që vepron në Tiranë?!
Ndërkohë, më tej thotë se u caktua masa e sigurisë së pezullimit për veprën penale shpërdorim detyre. Sipas Prokurorisë së Beratit, “ekziston një dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova, se nga ana e personit nën hetim janë transferuar oficerët e policisë gjyqësore”.
Çfarë vepre penale ka transferimi i oficerëve të policisë gjyqësore?! Prokuroria e Beratit shkruan se kjo është në kundërshtim me nenin 10, pika 1, shkronja c të ligjit për “për Organizimin dhe Funksionimin e Policisë Gjyqësore”.
Por, çfarë thotë ky ligj?! Ky nen përcakton se Komisioni i Policisë Gjyqësore “miraton transferimin dhe komandimin e oficerëve të Policisë Gjyqësore të shërbimeve, me propozim të titullarit të institucionit shtetëror ku ata bëjnë pjesë”.
Ndërkohë, shkelja e dytë, sipas Prokurorisë së Beratit është “nenin 62 pika 5, të të ligjit “për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore’”.
“Për transferimin e punonjësve të Agjencisë, të strukturës që gëzojnë atributet e Policisë Gjyqësore, zbatohen, krahas kritereve të parashikuara në këtë nen, edhe kriteret e parashikuara në ligjin ‘për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore’”.
Dakord! Por a e ka lexuar hetuesi, prokurori dhe gjyqtari që ka nxjerrë masën, nenin 16 të ligjit për AMP-në?! Nëse jo, po e shkruajmë ne. Përgjegjësitë e drejtorit të Përgjithshëm, “emëron, transferon, liron dhe përjashton punonjësit e Agjencisë dhe punonjësit administrativë”.
Shkruhet mjaft qartë, e zeza mbi të bardhë se mund të emërojë, transferojë, lirojë apo edhe të përjashtojë punonjësit e Agjencisë. Tani, ose ligjvënësit e kanë shkruar gabim këtë ligj ose zbatimi i tij, në rastin e Prokurorisë dhe Gjykatës së Beratit është bërë në shkelje të plotë.
Por kompetencat e drejtorit janë edhe më tepër, pasi drejtori mund të propozojë, edhe miratimin e strukturës dhe organikës. Nëse ka transferuar ndonjë oficer, ccfarë vepre penale ka kryer?
Prokuroria e Beratit vijoi çmendurinë, kjo në njoftim, duke shkruar se ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës. “Masa sigurimit është e përshtatshme me nevojën e sigurimit. Gjithashtu, kjo masë ndaluese garanton një raport të drejtë midis rëndësisë së faktit dhe sanksionit që parashikohet për veprën penale konkrete me llojin e masës së sigurimit” thuhet në këtë njoftim.
Madje, hartimi i tyre përfundon se “nën udhëheqjen e parimit kushtetues të prezumimit të pafajësisë dhe detyrën ekskluzive të Prokurorisë për ushtrimin e ndjekjes penale, nga ana prokurorisë po vazhdojnë të kryhen veprime hetimore për të pasur një hetim të plotë dhe të gjithanshëm”.
Por nëse janë kaq të aftë këta gjyqtarë dhe prokurorë, aq sa citojnë Kushtetutën, a e kanë lexuar nenin 75 fraksion a) të ligjit të SPAK-ut; “Kompetencat e Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të
Organizuar akuzat penale kundër Presidentit te Republikës, Kryetarit te Kuvendit, Kryeministrit, .... dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj”.
AMP-ja funksionon me një ligj, të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Dhe, me ligjin e SPAK-ut më sipër, titullari duhet të hetohej nga SPAK-u? Përse nuk e delegoi çështjen në Prokurorinë e Posaçme? Çfarë frike kishte? A mos ndoshta hetuesi, prokurori dhe gjyqtari në Berat kanë shpërdoruar detyrën?
Tani, me gjithë këto veprime, njerëzit e drejtësisë në Berat kanë vepruar si një grup kriminal. Dhe, grupet kriminale hetohen nga vetë SPAK-u!
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016