Banka Reyl Intesa Sanpaolo nën hetim për pastrim parash

9 Prill 2025, 11:48Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Banka Reyl Intesa Sanpaolo nën hetim për pastrim parash

Banka private zvicerane Reyl Intesa Sanpaolo e cila krenohet me shtrirjen e saj globale dhe “kulturën e përgjegjshme” është vënë në qendër të një hetimi për pastrim parash dhe ndihmë në shmangien e detyrimeve fiskale.

 Me seli në një ndërtesë madhështore në një nga lagjet më ekskluzive të Gjenevës, ajo e përshkruan veten si një kompani që përqendrohet te klientët dhe që ofron "zgjidhje që adresojnë nevojat gjithnjë e më komplekse të klientëve të saj".

Por pas dyerve të mbyllura, banka është vënë nën vëzhgim nga rregullatorët mbi këtë listë klientësh, e cila përfshin fëmijët e autokratëve të Azisë Qendrore dhe figura të tjera që dyshohen për pastrim parash.

Një korrespondencë mes bankës dhe Autoritetit Zviceran të Mbikëqyrjes së Tregut Financiar (FINMA), ka rënë në duart e OCCRP dhe Le Monde. Kjo korrespondencë tregon se rregullatori financiar i Zvicrës ka hetuar Reyl Intesa Sanpaolo se ka treguar "brishtësi në fushën e pastrimit të parave" dhe dështim në trajtimin e llogarive me rrezik të lartë.

Disa letra të detajuara nga FINMA drejtuar Reyl Intesa Sanpaolo, së bashku me përgjigjet nga banka, zbulojnë se si një inspektim në terren i FINMA-s në verën e vitit 2023 zbuloi "një nivel shumë të lartë të  për rrezikun e pastrimit të parave, si dhe një pakujdesi në mënyrën se si janë kryer detyrat.

Vetë FINMA nuk mund të ngrejë akuza, ajo mund të paraqesë ankesa tek autoritetet kriminale zvicerane - dhe është e detyruar t'i njoftojë ato nëse zbulon mashtrime të korporatave ose bizneseve. Gjithashtu mund të revokojë një licencë bankare, të konfiskojë fitimet e fituara në mënyrë të paligjshme.

Nuk ka asnjë provë që FINMA të ketë bërë një ankesë apo të ketë ndërmarrë veprime të tjera përmbarimore ndaj Reyl Intesa Sanpaolo. Ajo u tha gazetarëve se nuk mund të komentonte për raste specifike.

Reyl Intesa Sanpaolo gjithashtu nuk pranoi të komentojë për ndonjë rast specifik, por tha se "po bashkëpunon plotësisht me autoritetet mbikëqyrëse dhe i jep përparësi më të lartë sigurimit të pajtueshmërisë me të gjitha rregulloret në fuqi dhe vazhdimisht përpiqet të përmirësojë proceset dhe kontrollet e saj të brendshme".

Banka tha gjithashtu se kishte paraqitur një ankesë pranë autoriteteve zvicerane lidhur me pyetjet e dërguara nga OCCRP dhe partnerët e saj raportues: "Informacioni që keni dorëzuar është konfidencial, i nënshtrohet detyrimeve të sekretit bankar sipas ligjit zviceran.

Sektori bankar shumë sekret i Zvicrës mbrohet nga ligje drakoniane që i japin përparësi privatësisë së klientëve të bankave dhe kufizojnë gazetarët të raportojnë për ta.

Autoritetet kanë këmbëngulur se vendi ka rregulla të forta kundër pastrimit të parave që mund të kontrollojnë në mënyrën e duhur sektorin bankar edhe pse ai ruan sekretin e tij tradicional. Por gjetjet e reja tregojnë se bankat e Zvicrës mbeten një destinacion i zgjedhur për klientelën ndërkombëtare, disa prej tyre me burime të paqarta të pasurisë.

Në korrespondencën e saj me bankën, FINMA ngre pyetje mbi trajtimin e llogarive të Reyl Intesa Sanpoalo që i përkisnin gjashtë klientëve me rrezik të lartë, duke përfshirë një ish-ministër rus, dhëndrin e të fortit të ndjerë uzbek Islam Karimov dhe një menaxher zviceran të aseteve që menaxhonte kompanitë për fëmijët e diktatorit Azerbajxhan Ilham Aliyev.

Rregullatori pyeti gjithashtu bankën për vajzën e ish-presidentit të Kazakistanit, e cila tani është nën hetim penal në Zvicër për burimin e dhjetëra milionë frangave që ajo mban në Reyl Intesa Sanpolo.

Një letër që daton në shtatorit të 2023 nga FINMA, tregon gjetjet e një inspektimi në selinë qendrore të bankës në Gjenevë dhe i përshkruan masat e saj kundër pastrimit të parave si "të pakënaqshme". Letra paralajmëroi se Reyl mbetet në kategorinë e rrezikut "shumë të lartë" të rregullatorit për sa i përket potencialit për pastrim parash.

Inspektorët zbuluan se mijëra alarme të transaksioneve me rrezik të lartë dhe paralajmërime të brendshme ishin lënë të pakontrolluara nga stafi i bankës për dy ose më shumë muaj. Ata zbuluan gjithashtu se më shumë se 1,400 llogari nuk i ishin nënshtruar rishikimit "njih klientin tënd" për më shumë se pesë vjet.

Kishte gjithashtu “rreziqe të konfliktit të interesit” mbi rolin e François Reyl, drejtorit menaxhues të bankës në atë kohë, i cili sipas inspektorëve kishte menaxhuar drejtpërdrejt marrëdhëniet me klientët me vlerë më shumë se 1.2 miliardë franga (1.4 miliardë dollarë), në një komitet bankar kyç që votoi nëse do të pranoheshin klientë të rinj. François Reyl dha dorëheqjen si drejtor menaxhues i Reyl në korrik 2024, por është ende anëtar bordi dhe partner i rëndësishëm.

Justyna Gudzoëska, drejtore ekzekutive e The Sentry, një OJQ me qendër në Uashington që heton kleptokracinë, i tha OCCRP se një bankë duhet të sigurojë kontrolle të forta nëse merr klientë të rrezikshëm.

“Nëse keni "oreks të lartë rreziku", më mirë sigurohuni që masat tuaja kundër pastrimit të parave të jetë në gjendje të mirë”, tha Gudzoëska, e cila më parë ka punuar si avokate e brendshme për bankën amerikane të investimeve Morgan Stanley.

Në letrën e shtatorit 2023, FINMA e ngarkoi Reylin të zbatonte një sërë rekomandimesh gjatë muajve në vijim dhe i kërkoi bankës të "ulë ndjeshëm apo edhe të ndalojë" marrjen e klientëve të rinj me rrezik të lartë.

Më 31 janar 2024, FINMA informoi bankën se dosja e saj ishte “transmetuar në Sektorin e Përmbarimit për të kryer hetime shtesë”. Letra vuri në dukje shqetësime specifike për "marrëdhëniet e biznesit të Reylit të lidhura me Rusinë".

Pavarësisht përshkallëzimit të dukshëm të çështjes, “nuk ishte hapur ende asnjë procedim përmbarimor” ndaj bankës, shkruan FINMA në letrën e janarit 2024.

Një sistem që mbron sekretin

Ekspozimet e bankave zvicerane Credit Suisse, HSBC Suisse dhe UBS kanë zbuluar prova të pastrimit të parave në shkallë industriale dhe evazionit fiskal gjatë viteve, por pamje të tilla të aktivitetit bankar me rrezik të lartë në Zvicër mbeten të rralla për shkak të sekretit ekstrem që mbulon sektorin.

Një ligj që daton në vitet 1930 thotë se punonjësit e bankës mund të burgosen në Zvicër për ndarjen e informacionit të klientit me palët e treta, edhe nëse duan të denoncojnë një krim,. Që nga viti 2015 ligji zbatohet edhe për gazetarët, aktivistët dhe të tjerët.

Avokatët e transparencës thonë se ligji u qep gojën denoncuesve dhe gazetarëve që punojnë në interes të publikut. “Akti i Bankës Zvicerane është një shembull i kriminalizimit të gazetarisë”, tha Irene Khan, raportuesja speciale e OKB-së për lirinë e shprehjes, për partnerin mediatik të OCCRP, Paper Trail Media.

Hetimi i Suisse Secrets, i koordinuar nga Süddeutsche Zeitung dhe OCCRP, zbuloi në vitin 2022 se dhjetëra individë të përfshirë në torturë, trafik droge, pastrim parash dhe korrupsion kishin patur marrëdhënie bankare me Credit Suisse.

Por pak më shumë se dy muaj më vonë, ligjvënësit zviceranë votuan kundër një propozimi për të liruar dispozitat në Aktin Bankar që kriminalizon raportimin mbi të dhënat e ndjeshme bankare. Në dhjetor të vitit 2023, dhoma e lartë e parlamentit të Zvicrës miratoi një mocion duke i kërkuar qeverisë të shqyrtojë nëse publikimi i ndonjë të dhëne të marrë në mënyrë të paligjshme - që mund të përfshijë informacionin e dhënë nga një denoncues  - duhet të konsiderohet vepër penale.

Në  këtë mjedis shumë të mbrojtur Reyl lulëzoi.

E themeluar në Gjenevë më shumë se gjysmë shekulli më parë nga bankieri Dominique Reyl, ajo filloi si një biznes i menaxhimit të pasurisë përpara se të merrte një licencë bankare në vitin 2010, menjëherë pasi djali i financierit, François Reyl, mori detyrën si drejtor menaxhues.

Në vitin 2013, media franceze raportoi se banka kishte ndihmuar një ish-ministër të qeverisë franceze të fshehte fondet e padeklaruara në Zvicër. Banka më vonë pranoi lehtësimin e transferimit të aktiveve te subjektet offshore, duke përfshirë llogaritë në Singapor, për të paktën tetë klientë në vitin 2009. François Reyl, të cilin një vendim gjykate e përshkroi si "urdhëruesin kryesor për kryerjen e veprave të pastrimit të parave", u dënua në Francë për rolin e tij në pastrimin e parave në 2016, ndërsa banka u gjobit me rreth 1.9 milionë euro (2 milionë dollarë). (François Reyl nuk iu përgjigj një kërkese për koment.)

Kjo nuk e ndaloi François Reyl që të vazhdonte të drejtonte huadhënësin zviceran dhe në maj 2021 banka u bashkua me degën zvicerane të gjigantit bankar italian Intesa Sanpaolo. Në të njëjtin vit, Reyl u votua "butiku më i mirë i bankave private në Evropë" në Global Private Banking Aëards.

Në një pyetësor të vitit 2021 të Ëolfsberg Group - një mjet i krijuar për të vlerësuar kuadrin e institucioneve financiare kundër pastrimit të parave - banka deklaroi se ishte "plotësisht e përkushtuar në luftën kundër krimit financiar".

Por vetëm gjashtë muaj më vonë, në mars 2022, FINMA kreu atë që e quajti "një rishikim i parë mbikëqyrës" në lidhje me masat e Reyl kundër pastrimit të parave dhe gjeti "dobësi materiale" në sistemet e bankës.

Do të ishte fillimi i një sërë pyetjesh nga FINMA, teksa shikonte se si Reyl hynte dhe trajtonte klientët me rrezik të lartë.

Në formë të përmbledhur, hetimi ka nxjerrë në pah se banka ka vepruar si ndërmjetëse për fonde të dyshimta, duke lejuar transferime dhe mbajtje të parave në mënyra që cenojnë ligjet ndërkombëtare të transparencës dhe luftës kundër pastrimit të parave. Më konkretisht, ajo është përfshirë në çështje që lidhen me një rrjet të gjerë klientësh që përfitojnë nga struktura komplekse financiare për të fshehur identitetin e tyre dhe burimin e fondeve./ OCCPR/ Përshtatur me shkurtime nga Vox News

Video