Tender tjetër i Onuzit të Gardës: 400 mijë euro pajisje kundërzbulimi; Armë për të rrëzuar dronët, detektor gjurmues...

15 Prill 2025, 19:49Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese

Ermal Onuzi, kreu i Gardës së Republikës ka hapur një tjetër tender të dyshimtë, disa kohë pasi me plot 1 milionë euro do të blinte 3 makina të blinduara. Tashmë, shefi i Gardës ka menduar për pajisje për kundërzbulimi, ku do të blejë pajisje informacioni dhe detektorë anti dron.

Po përse i duhen gjithë këto pajisje?

Sipas ligjit, Garda e Republikës ruan dhe kontrollon personalitetet e shtetit shqiptar si dhe disa ish-presidentë. Por, kurrsesi nuk justifikon dot shpenzimet e makinave apo edhe vlerën e tenderit të fundit, ku me 400 mijë euro do të blejë armë për dronët.

Nisur edhe nga specifikimet e kërkuara, për çfarë i do armët kundër dronëve? Të mos filmojnë rezidencat sekrete të pushtetarëve apo edhe ato qeveritare? Një kërkesë speciale, ku shpenzimet për sigurinë e krerëve të shtetit janë si në Ukrainë apo Rusi, shtete të cilat janë në luftë me njëra-tjetrën.

Po kush do t’i filmojë krerët e shtetit në Shqipëri? A ka bërë ndonjë studim apo çfarë informacioni ka Garda, shërbimet inteligjente apo ato ligjzbatuese për cënimin e sigurisë për shtetarët?!

Tender tjetër i Onuzit të Gardës: 400 mijë euro pajisje
Faksimile: Njoftimi i tenderit të Gardës së Republikës i publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik

VoxNews hulumtoi procedurat e këtij tenderi, të hapur ditët e fundit në rubrikën e “sigurisë”. Bëhet fjalë për procedurën e kufizuar, të klasifikuar, në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.

Objekti i kontratës është “blerje pajisje për komunikimin dhe elektronikën”, për nevoja të Gardës së Republikës. Detaje interesante janë te pika B, “sistem anti-dron”.

Kërkohet 1 detektor i lëvizshëm për dronët. Kërkohet gjithashtu edhe 1 armë për neutralizimin e droneve si dhe detektor dhe neutralizues stacionar i droneve. Kërkesa të veccanta, pasi janë pajisje gjurmimi, me një vlerë shumë të lartë.

Në dokumente kërkohet edhe 1 tabletë me sistem komandimi apo edhe instalim, konfigurim dhe trajnim i stafit për këto pajisje. Urdhri për këto pajisje ka dalë në datën 9 prill 2025 nga kreu i Gardës së Republikës. Të gjitha këto pajisje, për dronët, kushtojnë plot 300 mijë euro.

Gjithashtu, Garda ka kërkuar edhe sistem radio ndërlidhje. Kërkon repetitor, 10 radio dore me tastierë të reduktuar dhe display, 40 radio dore me tastierë të plotë dhe display si dhe 18 copë radio dore LTE me sistem android. Kërkohen edhe 8 radio makine, 3 stacionarë dhe 3 pajisje LTE. Gjithashtu edhe 40 kufje. Sistemi i ndërlidhjes kushton 105 mijë euro.

Të gjitha këto pajisje Garda i do për vetëm 20 ditë! Me cilin shtet jemi në luftë?! Kush po i rrezikon krerët e shtetit?

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Video