"Pendohet” Gjyli pas vizitës në SPAK?! Anulon edhe tenderin 1.2 milionë euro për stacionet e tarifimit të rrugëve

16 Prill 2025, 10:25Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Gentian Gjyli në SPAK

Autoriteti Rrugor Shqiptar është tronditur pasi kreu i saj, Gentian Gjyli, ka vizituar për herë të dytë SPAK-un para disa ditësh. Dalja për kushedi sa kohë nga Prokuroria, apo nga ndonjë institucion i ekzekutimeve penale, e ka bërë të reflektojë.

Ai ka anuluar fillimisht tenderin me vlerë 5.1 milionë euro të rikonstruksionit të rrugës në Llogara, me arsyetimin e "gabimeve në dokumente".

Në të njëjtën kohë, Gjyli ka anuluar edhe tenderin për vendosjen e stacioneve të tarifimit në rrugët me pagesë. Një procedurë tepër e dyshimtë, pasi nëse bëhen me pagesë taksën e kanë vjelë firmat private. Ky tender ishte për rrugën e Llogarasë dhe Kashar-Lekaj. Sërish, arsyeja e anulimit është për shkak të "gabimeve".

"Pendohet” Gjyli pas vizitës në SPAK?! Anulon edhe tenderin
Faksimile: Dokumenti i anulimit nga ARRSH të tenderit për vendosjen e stacioneve të tarifimit

Vendimmarrja e dyfishtë e Gjylit është shumë e dyshimtë, pasi vijnë menjëherë pas vizitave në SPAK. Dy janë mundësitë, ose Gjylit nga Shijaku i është futur frika ose është "penduar".

Duke parë dhe dëgjuar në SPAK se paraardhësit e tij janë nën akuzë dhe të burgosur, Gjyli mund të ketë vendosur edhe të bashkëpunojë me drejtësinë. Ai mund të ketë marrë edhe sinjale nga Prokuroria e Posaçme për këto procedura, për të cilat vendosi më pas të zbythet.

Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, ai ka anuluar tenderin me objekt “platformë e integruar për Menaxhimin, monitorimin dhe operimin e stacioneve të tarifimit në rrugë (TOLL)”.

Vlera e procedurës është 120,282,150 lekë ose 1.2 milionë euro. Arsyeja është për shkak se "konstatohet se dokumentet e tenderit përmbajnë gabime ose mangësi të rëndësishme". Sërish vendimi është marrë nga i "penduari" Gentian Gjyli!

Çfarë do të bëhej me 1.2 milionë euro?! Sipas VoxNews, ARRSH parashikonte të krijonte një platformë të re të integruar për lidhjen e stacioneve të tarifimit, duke përfshirë rrugët që janë nën konceisonarët aktualë por edhe projekte të ardhshme.

Platforma Smart Tolling Softëare (STSP) duhet të mblidhte dhe analizonte të dhënat mbi vëllimet e trafikut, klasifikimet e automjeteve, shpejtësinë e automjeteve dhe tarifat e pritshme dhe të mbledhura.

Aktualisht janë dy sisteme ekzistuese për tarifimin në rrugë, ku e para është e vendosur në Rrugën e Kombit dhe tjetra në Thumanë-Kashar.

Sipas ARRSH, sistemet e ardhshme duhet të përfshinin sistemin e taksave të Tunelit të Llogorasë dhe rruga tjetër që është në fazë ndërtimi Kashar-Lekaj.

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Video