Taulant Balla është shndërruar brenda pak muajve nga një kandidat për krahun e djathtë të Edi Ramës në një zëdhënës dhe PR i bindur i Belinda Ballukut.
Ish numri dy i Partisë Socialiste, ish numri një i socialistëve në parlament, deputeti më i votuar në zgjedhjet e vitit 2021 duke siguruar në Elbasan gati 7 mijë vota më shumë se sa vetë Edi Rama në Durrës ka hequr dorë nga ambicia për të qenë numri 2 në qeveria e parti dhe ka pranuar ‘nënshtrimin’ ndaj Belinda Ballukut.
Thashethemet korridoreve të qeverisë dhe të Partisë Socialiste sugjerojnë se ëndrrën e gjatë dhe karrierën e shkurtër të Taulant Ballës në postin e ministrit të Brendshëm e ndërpreu papritur pikërisht Belinda Balluku. Por, revanshi i zv.Kryeministres nuk u mbyll me kaq.
Ajo e spostoi edhe nga drejtimi politik i partisë në qarkun e Fierit dhe që të dyja këto lëvizje nuk u shoqëruan pa hatërmbetje.
Përballë këtyre zhvendosjeve Balla u ngushëllua publikisht me marrjen e drejtimit të fushatës së PS-së në diasporë, duke shtuar madje se detyra e re kishte më shumë përgjegjësi dhe rëndësi.
Ai e kaloi ‘hatërmbetjen me bukë’ dhe sot me qëndrimet në mbledhjet e grupit parlamentar të PS-së dhe publikisht në rrjetet sociale është shndërruar në një ushtar të bindur të Belinda Ballukut.
Në mbledhjen me dyer të mbyllura të PS-së të së martës, Balla u rreshtua në krah të Ballukut, kur kjo e fundit kritikoi me një gjuhë të ashpër kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali, me pretendimet se ishte nën shantazhet e Gazment Bardhit, që e orienton për drejtimin e seancave plenare.
Bindja ndaj Ballukut (që tregon se nuk bëhet fjalë për një aleancë, por për nënshtrim) janë postimet në rrjetet sociale.
Zv.Kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës postoi ditën e martë një video me borëpastruese në zonën e Thethit.
Të njëjtën video, pak orë më vonë e poston në rrjetet e tij sociale Taulant Balla.
Postimi i videos nga Belinda Balluku, që është edhe ministre e Infrastrukturës deri diku kuptohet me zellin për të përditësuar ndjekësit e saj, edhe pse mes komenteve kishte edhe nga ata që i kërkonin z.Kryeministres që të mos bënte brigadieren, por të mbante premtimet e bëra në zgjedhjet e vitit 2021.
Ajo që nuk kuptohet është se çfarë e lidh Taulant Ballën me gjendjen e rrugëve?
Ai është ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe drejtues politik për diasporën. Rrugët nga qeveria për në Kuvend dhe nga Shqipëria për në diasporë nuk kanë nevojë për borëpastruese.
Këtë e vënë re edhe ndjekësit e vëmendshëm të Ballës, ku njëri prej tyre i kërkon që të mos marrë rolin e shefit të emergjencave, por të luftojë korrupsionin.
A është kaq e thjesht që Taulant Balla të luftojë korrupsionin në një kohë që vetë duket se është vendosur nën tutelën e Belinda Ballukut?
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.