Sekretariati i Energjisë projektonte në 2019-n se çmimet e energjisë elektrike për shqiptarët do të binin nisur nga fakti që vendi e prodhonte thuajse të gjithë energjinë e nevojshme prej hidrocentraleve me kosto mjaft të ulët në krahasim me vendet e tjera të rajonit.
Për këtë arsye, thuhej në një raport të asaj kohe të Sekretariatit, nëse në vendet e tjera që prodhojnë energjinë me lëndë djegëse, procesi i dekarbonizimit do të rriste koston e produktit, për Shqipërinë kjo nuk vlente.
Por, tre vite pas këtij projeksioni, në Shqipëri Qeveria diskuton gjithnjë e më shumë rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke arsyetuar se është rritur çmimi i saj në tregjet ndërkombëtare.
Për të shpjeguar krizën në të cilën ndodhet sot furnizimi me energji elektrike i vendit, vetëm ky argument i dhënë nga Qeveria nuk vlen. Pse? Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria mbulon pjesën më të madhe të konsumit të energjisë nga prodhimi vendas, madje ka vite, si ai i kaluari, kur prodhimi tejkaloi nevojat e tregut vendas.
Por, sipas të dhënave zyrtare nga KESh, energjia u shit në muajt gusht dhe shtator. Çmimi me të cilën u shit nuk është bërë publik. 2021 është ndër të paktët vite, për të mos thënë i vetmi kur vendi shet energji në këtë periudhë, duke çuar Kaskadën e Drinit në nivelet më të ulëta aktualisht për shkak të mungesës së reshjeve.
Gjithsesi, Qeveria refuzon që ta quajë ‘keqmenaxhim’ të Kaskadës këtë pjesë, ndërsa për rritjen e çmimit po e aplikon atë në kategori të kufizuara, si bizneset e mëdha dhe po studion mundësinë e rritjes së çmimit për një grup familjesh të pasura.
Për pjesën tjetër, qeveria është e vetëdijshme se në këtë krizë çmimesh ku ka hyrë vendi nuk ka mundësi që të aplikojë tarifa më të larta, sepse edhe para shpërthimit të kësaj krize Shqipëria kishte tarifat ndër më të lartat në rajon për energjinë, duke u renditur e dyta pas Malit të Zi.
Një megavat energji, në Shqipëri u shitet qytetarëve për 93 euro, ndërsa në Mal të Zi e njëjta sasi shitet për 100 euro. Ndërkohë, sipas të dhënave të Eurostat, energjia në Shqipëri është 21 për qind më e shtrenjtë se mesatarja e saj në vendet e Europës Lindore e Qendrore.
Ky çmim rendit shqiptarët ndër të fundit në rajon dhe Europë sa i takon ‘varfërisë energjitike’. Koncepti i varfërisë energjitike ka të bëjë me pamundësinë e qytetarëve që të mbulojnë kostot e ngrohjes së banesave me energji elektrike, një prej rekomandimeve të Komisionit Europian sa i përket kapitullit të mbrojtjes së mjedisit.
Sipas Eurostat, në 2019-n të paktën 37 për qind e shqiptarëve konsiderohen të varfër energjitikisht, ndërsa mesatarja europiane është vetëm 5 për qind. Më keq se Shqipëria në rajon renditet Kosova me 40 për qind e qytetarëve të varfër energjitikisht.
Më mirë në rajon është Mali i Zi, me vetëm 15 për qind, ndërsa në Maqedoninë e Veriut shifra është 33 për qind dhe Serbi 22 për qind.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.