
Qeveria dhe Banka e Shqipërisë shpresonin që presioni i rritjes së çmimeve të ulej me përfundimin e sezonit turistik.
Por, vendimmarrja e deklaruar e Bankës së Shqipërisë përmes rritjes së normës bazë të interesit nga 1.75 në 2.25 provon se inflacioni mbetet në nivelet të larta.
Në muajin gusht, çmimet u rritën me 8 për qind, shifra më e lartë që prej vitit 1998. Për shtatorin INSTAT nuk ka publikuar ende të dhënat, por vendimi i Bankës së Shqipërisë që rriti normat e interesit pa pritur raportin e muajit sugjeron se inflacioni mund të jetë sërish në nivelet e gushtit, ose edhe më shumë.
Norma bazë e interesit në Shqipëri në fillim të këtij viti ishte 0.5 për qind. Pas nisjes së luftës në Ukrainë, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë katër herë duke e çuar normën në 2.25 për qind, niveli më i lartë që prej 2014-ës.
Rritjet e vazhdueshme të normës bazë të interesit tregojnë se efektiviteti i masës është minimal dhe se rritja e çmimeve nuk lidhet me rritjen e kërkesës.
Ajo që e bën edhe më të vështirë këtë mjet të Bankës së Shqipërisë për të luftuar inflacioni është përdorimi masiv i euros.
Paketa e deeuroizimit e prezantuar që në 2018 vlerësohet nga ekspertët si e dështuar. Kjo zhvlerëson vendimet e Bankës së Shqipërisë me rritjen e normave të interesit, që efektin e kanë vetëm te leku, jo te euro.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.