Sa përfiton shteti nga “Syri i Tiranës” që ishte 'nën shikimin' e Ramës 

1 Tetor 2022, 10:18Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Kryeministri Edi Rama pranoi se edhe sot ka ndërtime pa leje, por ia hodhi fajin sistemit të drejtësisë që sipas tij të turpëron. Gjatë një komunikimi në rrjetet sociale, teksa iu përgjigj pyetjeve të qytetarëve, Rama u shpreh se nëse do t’i lejonte ndërtuesit të ndërtonin kulla pa leje, do t’i merrte për vete dhe jo për shtetin.

4600 metra të kullës në qendër të kryeqytetit me emrin “Eyes of Tirana” u dhuruan nga pronari i pallatit i cili, nuk pranoi që katet shtesë të shemben, sikundër nuk pranoi ta blejë këtë shtesë dhe të paguajë gjobën për të.

Por sa përfiton shteti nga 'Syri i Tiranës':

Sot me çmimin e referencës, 1 metër katror kushton 1250 euro, katet që ka sekuestruar shteti kushtojnë 5.8 mln euro. Me çmimin e tregut që shkon 1800 deri ne 2200 euro m2, shtesa e sekuestruar ka një vlerë ndërmjet, 8 mln dhe 10 milionë euro.

Dhe nëse sipërfaqja e marrë do të vlerësohet me çmimin e një mjedisi që jepet për biznes, ajo vlen nga 16 deri në 23 mln euro.

Kjo sipërfaqe sipas kryeministrit Rama, do të lëshohet për strehimin e banorëve që janë prekur nga projektet lokale. Por ajo që bie në sy është si ka mundësi që kryeministri Rama nuk e paska parë këtë pallat kur fitoi mandatin e tretë qeverisës dhe organizoi festën e fitores. 

Pas sekuestrimit nga qeveria, kompania “Ideal Cosntruction shpk” vendosi t’i dhurojë shtetit shtesën pa leje prej 4646 metër katrorë, e cila do të përdoret për interes publik. Ndërkohë janë sekuestruar edhe tre pallate të tjera.

Pallatet e sekuestruara

Ditën e djeshme u sekuestrua pallati në rrugën 'Myslym Shyri' në Tiranë, pasi kishte ndërtuar 2700 metra katrorë shtesë pa leje, nga firma ‘Arb Trans 2010’ me administrator Shyqyri Maloku dhe ish-ortak deri në vitin 2018 Arben Malokun, ish-administrator i Zall Herrit.

Nga ana tjetër është sekuestruar edhe ndërtesa 9-katëshe të biznesmenit, Julian Morina e ndërtuar pa leje.

Ndërsa shtesa tjetër pa leje ishte në një pallat në ndërtim në zonën e Farkës në Tiranë, me një sipërfaqe 1200 metër katror. Shtesat e kateve pa leje janë ndërtuar në pallatin në pronësi të biznesmenit Pëllumb Salillari./VoxNews 

Video