Bledi Çuçi i “sulet” pallatit të Arben Malokut/ Pronari ‘guximtar’ i PS që ndërtoi kate pa leje në mes të Tiranës

30 September 2022, 14:03Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Bledi Çuçi i “sulet” pallatit të Arben Malokut/
Në foto: Pronari i pallatit, Arben Maloku dhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, njoftoi ditën e sotme se një tjetër ndërtim pallati tek zona e “Myslym Shyrit” në Tiranë ka kate shtesë pa leje të cilat do t’i kthehen qytetarëve, sipas ligjit në bazë të vendimit të fundit të marrë nga qeveria për konfiskimin e shtesave në mënyrë abuzive.

Ministri Çuçi pranoi se “policia dhe IKMT kanë kusuret e veta”, por nga ana tjetër sulmoi sërish drejtësinë dhe prokurorët e gjykatësit që marrin sipas tij rryshfet nga “njerëzit me kamur”.

"Kjo që po bëjmë nuk është fushatë mediatike apo demagogji por operacion ligjzbatimi kundër këtyre guximtarëve që i bazojnë aventurat e tyre mbi pjesën e mbetur të sistemit të vjetër të drejtësisë të cilët kur i vijnë dosje nga njerëz apo subjekte të kamura për evazion fiskal për krime të tjera e shohin si mundësi për të pasuruar xhepat e tyre.

Kështu ndodh që të ndëshkohen njerëz për një cati apo avlli apo dritare e këta shpëtojnë nga kjo pjesë e mbetur e sistemit te drejtesise. Polica e IKMT ka kusuret e veta por kjo pjesë e drejtësisë sikur të bënte punën do kishim rezultate shumë më të mira.

Bledi Çuçi i “sulet” pallatit të Arben Malokut/
Pallati me kate pa leje

Ne sot kemi aritur ta ulim 10 fish numrin e sipërfaqeve të ndërtuara pa leje. Ky subjekt është subjekt që jo vetëm ka kate pa leje por një ndryshim skandaloz të projektit nga ai i miratuari më parë.

Sot pasi të mbarojnë verifikimet e plota për gjithë sipërfaqen do i nënshtrohet ligjit dhe cdo metër katrorë pa leje do i kthehet publikut", tha Çuçi.

Burime për VoxNews thanë se pronari i pallatit që ka ndërtuar kate pa leje në mes të Tiranës sipas ministrit, Bledi Çuçi është ish-administratori i komunës së Zall-Herrit, Arben Maloku.

Bledi Çuçi i “sulet” pallatit të Arben Malokut/
Arben Maloku

Ish-administratori i komunës së Zall-Herrit i zgjedhur nga radhët e LSI, u bashkua më pas me PS pas largimit të Metës nga LSI-ja kur u zgjodh president. 

Arben Maloku me anë të një statusi të publikuar në rrjetet sociale braktisi partinë e LSI-së me pretendimin se pas largimit të Ilir Metës si kryetar gjërat nuk janë njësoj. Ai tha se do rikthehet tek familja e tij politike, Partia Socialiste.

Kujtojmë se deri tani përmes operacionit kundër ndërtimeve pa leje është bërë publik sekuestrimi i dy objekteve. Zbatimi i operacionit nisi me ndërtesën 9-katëshe të biznesmenit, Julian Morina. Pallati 9-katësh, me 2 kate nën tokë dhe 7 të tjerë mbi tokë, ishte ndërtuar pa leje dhe për këtë arsye u sekuestrua nga qeveria.

Ndërsa shtesa tjetër pa leje ishte në një pallat në ndërtim në zonën e Farkës në Tiranë, me një sipërfaqe 1200 me 2. Shtesat e kateve pa leje janë ndërtuar në pallatin në pronësi të biznesmenit Pëllumb Salillari.

Dje është firmosur akti i parë i dorëzimit tek shteti i 4646 metër katrorë shtesë ndërtuar pa leje në pallatin ‘Syri i Tiranës’. Kompania e ndërtimit ka vendosur që pas sekuestrimit nga Qeveria si rezultat i Aktit të fundit Normativ kundër ndërtimeve pa leje, t’ia dhurojë këtë sipërfaqe shtetit.

Rama ka thënë përmes një videomesazhi se 4646 m2 të ndërtuar pa leje në qendër të Tiranë do përdoren sipas ligjit për interes publik./VoxNews



Video