Rama ‘dorëzon’ në SPAK Arben Ahmetajn

27 Shtator 2022, 21:17Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Si njeriu që ka menaxhuar pjesën më të madhe të fondeve të Qeverisë në mandatin e dytë të Edi Ramës, herë si ministër Financash dhe herë si ministër zyrtarisht pa portofol, por më vonë me portofol të zgjeruar të rindërtimit, Arben Ahmetaj e ka emrin pothuajse në të gjitha aferat e denoncuara zyrtarisht e publikisht në SPAK.

Nga tenderat, te koncesionet e deri te fondet e rindërtimit janë me dhjetra akuzat e ngritura për abuzime. Ahmetaj nuk është marrë i pandehur zyrtarisht deri më tani. Por, zhveshja ceremoniale që i bëri Edi Rama nga të gjitha funksionet në parti dhe qeveri mund të jetë një sinjal për të kundërtën.

Rama mund të jetë vënë në dijeni se ish-krahut të tij të djathtë në qeveri po i hapen petët e byrekut me drejtësinë dhe marrja e tij si i pandehur me kostumin e zyrtarisht shtetëror, apo partiak është kosto elektorale për socialistët.

Për këtë qëllim, Kryesocialisti me largimin e Ahmetajt në mos eleminon, të paktën zbut përgjegjësinë kolektive të socialistëve dhe kostot elektorale përballë zgjedhjeve të ardhshme vendore.

Ahmetaj është shndërruar prej kohësh në një barrë për qeverisjen e Ramës, por nëse kjo barrë deri në 2021 mund të përballohej, me konsumimin e pushtetit dhe përballë një opozite që të paktën zyrtarisht po jep sinjale unifikimi përballë PS-së, kostoja s’mund të përballohej më.

Këto janë përllogaritjet elektorale, ndërsa llogaritë me drejtësinë të ‘Tigrit të financave’ janë të hapura dhe sot duken më shumë si çështje ditësh që të shpërthejnë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video