Kush është partneri i Giorgia Melonit, gazetar dhe me bindje të majta: Shpresoj të votojë për mua...

26 Shtator 2022, 17:23Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Giorgia Meloni, Andrea Gianbruno dhe vajza e tyre

Liderja e Partisë Vëllezërit e Italisë, Giorgia Meloni, ka fituar zgjedhjet e përgjithshme.

Ajo pritet të jetë kryeministrja e parë grua e Italisë, duke udhëhequr qeverinë e ekstremit të djathtë që nga epoka fashiste e Benito Musolinit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meloni është shprehur se me këtë fitore të së djathtës, në Itali është shkruar historia.

Ajo ia ka dedikuar fitoren militantëve të partisë dhe atyre të cilët e kanë mbështetur në rrugëtimin e saj, por edhe partnerit të saj.

Kundërshtari i saj më i madh në politikë është partneri dhe babai i vajzës së saj të vetme. Partneri i yllit të së djathtës ekstreme italiane ka bindje politike krejt të kundërta nga Meloni.

41-vjeçari Andrea Giambruno është pro legalizimit të kanabisit, ai është gazetar dhe ka bindje të majta. Në të kaluarën, Meloni pati ironizuar: “Ai është i majtë, shpresoj të votojë për mua në zgjedhje”.

Nëse Meloni merr postin e kryeministres në ekonominë e tretë më të madhe të Eurozonës, atëherë të gjithë sytë do të jenë edhe tek partneri i Melonit sipas mediave të huaja.

Meloni dhe Giambruno u takuan për herë të parë në prapaskenat e një emisioni televiziv. Giambruno ka thënë për mediet italiane se Meloni e ngatërronte atë me një asistent emisioni. Ata i ka bashkuar, siç thotë ajo, emisioni “ Quinta Colonna”.

“Nuk e di, sytë tanë u takuan për herë të parë dhe ndjeva diçka të çuditshme. Që nga ai moment fillova të flirtoja me të”, ka  thënë gazetari për partneren e tij me bindje të djathta.

“Andrea është një baba fantastik, është shumë i përfshirë me vajzën e tij gjashtëvjeçare. Ai kalon një javë në Milano çdo muaj, por kur është këtu (në Romë) pothuajse gjithmonë punon në mbrëmje për të qenë gjatë gjithë kohës pranë vajzës së tij. Njëri ndihmon tjetrin, ne plotësojmë njëri-tjetrin”, thotë Meloni.

Ajo pranon se ka kërkuar mendimin e tij për çështje të ndryshme, por vetëm deri në një pikë.

“Kur jemi bashkë, përpiqem ta lë jashtë politikën, të shkëputem. Nuk është e lehtë sepse edhe ai po i shikon të gjitha diskutimet. Diskutojmë për çiftet e të njëjtit seks, çështje morale, legalizimin e drogave të lehta… Nuk mendojmë njësoj”, ka thënë  Meloni.

Partia e Giorgia Melonit e themeluar në 2012-ën, e ka prejardhjen nga një lëvizje e pas luftës që u ngrit nga fashistët e diktatorit Benito Musolini.

Video