Rrëmbimi dhe dhunimi i babait të ‘Princit Damian’/ Pushtet, para, vajza VIP, përplasja e klaneve për ‘Mbretin e ri të nëntokës’?

22 Shtator 2022, 11:08Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Fotomontazh VoxNews

Krimi, llotot dhe kazinotë tashmë gjenerojnë para të shumta dhe të pafundme në botën e nëndheshme. Një dukuri e cila mesaduket e bëri edhe më të dhunshme luftën për posedimin e basteve. Një histori sa e re aq edhe e vjetër, që duket se ravijëzoi përplasje të reja me grupe të padukshme kriminale.

Por që ndërkohë kishin filluar të fuqizoheshin dhe të sulmonin njëra-tjetrën. Por edhe viktima të shumta në radhët e miqve të Martinaj. Që dukej se ishte në shënjestër të armiqve të tij. Një nga këto përplasje që ngritën krye ndaj grupit të Ervis Martinaj, ishte edhe ajo me klanin e vëllezërve Leonard dhe Erlis Duka.

Një përplasje e vjetër që kulmoi me eleminimin e ish-policit Santiago Malko, një prej miqve më të afërt të Martinaj. Vrasje e cila u krye nga Klani Duka, mbrëmjen e 27 gushtit 2019, në rrugën ‘Xhanfize Keko’, në Tiranë. Santiago Malko, që kishte qenë i pranishëm edhe gjatë përplasjes me armë që Ervis Martinaj, kishte pasur disa muaj më parë, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

Vrasje që vinte pasi Klani Duka kishte dështuar në ekzekutimin e Martinaj. Përplasja mes Martinajt dhe Dukëve, që duket se kishte nisur për lojërat e fatit. Por ku thuhet se Martinaj, mori peng dhe dhunoi babain e vëllezërve Duka. Gabim të cilin Klani Duka nuk ia fali kurrë Martinajt.

Klan që thuhet se tashmë ishte betuar deri në elemiminin e ushtarit të fundit të Martinaj dhe vetë kundërshtarit të tyre më të madh. Për ata që e njohin, e dinë se Leonard Duka vetëquhet tek miqtë e tij si “Princi Damian”, një nofkë e cila sipas tij reflekton luksin dhe jetën që ka 37-vjeçari.

Ku një hetim i prokurorisë së Tiranës, zbuloi se Vëllezërit Duka ishin investuar fuqishëm me të gjithë mjetet për të ditur lëvizjet e Martinaj me objektivin për të kryer eleminimin e tij. Hetim që ndër të tjera, zbuloi se Klani Duka, kishte rekrutuar punonjësen e një agjensie turistike, me qëllim që kjo e fundit kundrejt pagesës tju vinte ne dispozicion lëvizjet dhe vendet ku do të akomodohej Ervis Martinaj.

Dosja e Prokurorisë e marrë nga emisioni 'Shenjestër'

N.SH.ka punuar në një agjenci udhëtimesh në rrugën ‘Myslym Shyri’ ku shiste bileta udhëtimesh, paketa turistike, akomodime në hotele jashtë vendit etj. Nga deklarimet e N.Sh, ka rezultuar që përmes të pandehuri Daut Elmazi, ajo dhe i fejuari i saj Dejvison Serjani, kanë krijuar kontakte me shtetasit Leonard Duka dhe Fatmir Hyseni. njohur me pseudonimin ‘Dogja’.

Këta dy shtetas kanë patur në plan eleminimin fizik të shtetasit Ervis Martinaj dhe për organizimin e vrasjes u është dashur informacion prej të pandehurve lidhur me lëvizjet e objektivit Martinaj jashtë vendit. Sipas dosjes së prokurorisë të siguruar ‘Në shënjestër’, e pandehura, pranoi se i ka servirur vëllezërve Duka, informacion mbi fluturimet e Martinaj.

Madje, tregoi edhe shumat që kishte marrë për të dhënë këtë informacion, nga kundërshtarët e Martinaj. Në deklarimet e saj, e pandehura N.Sh ka pranuar që në këmbim të informacioneve do të përfitonin shpërblim në para. Rezulton se në dy raste është dhënë informacion lidhur me planet e udhëtimit të objektivit Martinaj.

Një herë informacioni i është përcjellë shtetasit Fatmir Hyseni për një fluturim të objektivit Martinaj me itinerar Prishtinë-Stamboll- Dubai, ndërsa herën tjetër informacioni i është përejellë Leonard Dukës për një fluturim të objektivit Martinaj, me itimerar Athinë-Stamboll-Valencia).

Sipas deklarimeve të N.SH, Leonard Duka i ka paguar asaj dhe Dejvison Serjanit shumën prej 30 000 euro. Por gjuetia e Klanit Duka, ndaj Ervis Martinaj, duket se ka filluar shumë herët. Ku ashtu edhe si rivali i tyre që kishte lidhje të fuqishme në Policinë e Shtetit, edhe vëllezërit Duka, duket se kishin rekrutuar oficerë policie për të ndjekur gjurmët e gjahut të tyre.

Ky oficer policie që do të siguronte informacione për lëvizjet e Martinaj, do të ishte Ardjan Ahmeti. Që kishte punuar gjatë viteve 2015-2019, si specialist IT, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës si dhe pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Nga deklarimet e Ardjan Ahmetit, ka rezultuar që ka qenë Daut Elmazi, ai që e ka lidhur me Fatmir Hysenin, i njohur si Doqja. Dauti i ka kërkuar Ardjanit që të prezantohet tek Hyseni si punonjës policie dhe ti thotë që ai po siguron informacione lidhur me lèvizjet jashtë territorit të Shqipërisë të Ervis Martinaj.

Dauti i ka premtuar shpërblim në para për këtë shërbim, gjatë kësaj kohe Ardjan Ahmeti është takuar me Fatmir Hysenin dhe ka komunikuar sipas porosisë së Dautit.

I gjendur përballë këtyre dëshmive, grupi hetues vendosi të mbajë në përgjim, dy të fejuarit Dejvison Serjani dhe shtetasen N.Sh. Për të parë nëse deklarimet e tyre ishin të vërteta dhe përputheshin me lëvizjet e Ervis Martinaj, shënjestrës tashmë të Klanit Duka. Ku zbulimi do të ishte surprizues edhe për vetë grupin e hetimit.

Transkriptet e përgjimeve

Nga transkriptet e përgjimeve telefonike rezultojnë edhe konfimimet e deklarimeve të shtetasve Dejvison Serjani, N.Sh, dhe Ardjan Ahmeti. Në kuadër të këtij procedimi, është kërkuar ndihmë nëpërmjet letërporosive nga ana e autoriteteve turke për të konfirmuar fluturimet dhe akomodimin për shtetasit Ervis Martinaj, Leonard Duka, Erlis Duka, Fatmir Hyseni, Igli Memaj, Gentjan Dautaj (Zoto).

Nga kthim-përgjigjet e administruara në fashikull rezulton që këta shtetas kanë udhëtuar në të njejtat data respektive kur supozohet që të realizohej atentati që po planifikohej. Edhe akomodimi i tyre rezulton në të njëjtin vend. Hetuesit dolën në përfundimin se Dukët nuk mundën ta ekzekutonin Martinajt, ndaj për këtë vendosën të hakmarreshin duke vrarë mikun e tij, Santiago Malko.

Ekzekutimi i Santiako Malkos nisja për eliminimin e grupit ‘Martini’

Mbi këtë të fundit, SPAK thotë se qëlloi vlonjati Fatmir Hyseni, i njohur si DOQJA. Por vrasja e Malkos, do të ishte vetëm fillimi i fundit të pandalshëm të eleminimit të grupit të Ervis Martinaj.

Një tjetër vrasje brenda radhëve të grupit të Martinaj, që do të shënjonte sinjalin se ditët e arta të një perandorie kishin nisur perëndimin e tyre. Më 30 maj 2020, një tjetër atentat, këtë herë brenda një hoteli, në aksin Mamurras-Lezhë, do ti merrte jetën biznesmenit Bujar Lika dhe mikut të tij, Paulin Gjergji.

Lika, që ishte mik i ngushtë me Ervis Martinaj. Atentat që shpejt do të pasohej nga i radhës. Dhe që do të trondiste edhe njëherë fuqishëm grupin e Martinaj. Viktimat këtë herë brenda këtij grupi, do të ishin Erigers Mihasi dhe miku i tij Armand Dumani.

Të cilët u ekzekutuan barbarisht më 13 nëntor 2021, në Tiranë, në zonën e Unazës së Re, brenda makinës së tyre. Eleminim i ushtarëve të Martinaj që do të kryhej publikisht,në sytë e dhjetra pasagjerëve që sapo zbrisnin nga urbani i linjës së Tiranës së Re.

Por teksa viti kalendarik dukej se do të mbyllej pa humbje të tjera në radhët e grupit të Martinaj, një tjetër viktimë brenda këtij grupi do të përmbyllte ciklin vjetor të hakmarrjes së egër që tashmë ishte e dukshme.

Can Karriqi, edhe ky një ushtar i Ervis Martinaj. I cili u ekzekutua më 23 dhjetor 2021, në Kamëz, brenda një makine. Dyshimet për këto krime ranë mbi Klanin Duka. Por duket se Martinaj, nuk kishte llogari të hapura vetëm me këtë Klan. Por edhe me të tjerë grupe apo familje, me të cilat tashmë i ndante gjaku.

Përplasja me Reçajt dhe eliminimi i Brilantit

Familje, e cila më 1 nëntor 2021, humbi në atentat në qytetin e Laçit, ish-policin, biznesmenin, Xhelal Reçi. Ngjarje, ku thuhet se një nga autorët që qëlloi ishte Brilant Martinaj, kushëriri tashmë i ndjerë i Ervis Martinaj. Ekzekutuar këtë verë, bashkë me dy miqtë e tij, tek mbikalimi i Fushë Krujës, mesditën e 17 korrikut 2022.

Por vrasja e kushëririt të tij Brilant Martinaj dhe miqve të tij, duket se nuk e ndali dorën e kundërshtarëve ndaj grupit të Martinaj. Vrasje e trefishtë e cila shpejt do të pasohej edhe nga një tjetër atentat i rëndë, brenda radhëve të grupit të Martinaj.

Ku këtë herë shënjestër do të ishin dy miqtë e tij, Ylli Ibrahimi dhe Klisman Prençi. Të cilët u qëlluan me breshëri të shumta kallashnikovi, brenda makinës me të cilën udhëtonin. Ngjarje kjo e ndodhur më 22 korrik 2022 në qendër të Milotit. Ku viktimë mbeti i riu Klisman Prençi, ndërsa i plagosur rëndë, Ylli Ibrahimi.

Atentati i fundit në radhë, para se Martinaj të rezultonte edhe vetë i zhdukur. Ndërkohë që bashkë me Martinaj, që nga 17 maji rezulton i zhdukur edhe një nga ushtarët e tij. Ulvi Skana, shok me Can Karriqin mikun e vrarë të Ervis Martinaj. Fije të shumta të ngatërruara, që e bëjnë edhe më të komplikuar zhdukjen e atij që deri dje njihej si mbreti i lojrave të fatit.

Fiksimi për vajzat VIP dhe miss-et

Mania e ekspozimit të jetës së luksit në rrjetet sociale duket se po vjen gjithnjë e në rritje dhe kjo e ka një zanafillë, nga personazhet e njohur që kanë ndikimin më të madh në rrjet.

Por në fakt disa prej tyre nuk janë gjithmonë për tu marrë shembull. Falë ngjarjeve që kanë ndodhur në vend, është zbuluar shpesh herë se pas vajzave me jetë luksoze dhe shpenzime të “shfrenuara” fshihen disa djem ‘të praptë’, që kanë marrë jo pak herë vëmendjen e shqiptarëve.

Shumë herë kemi parë vajzat e famshme që mbushën faqet e para të gazetave për lidhjet e dashurisë me djemtë me të shkuar kriminale.Ervis Martinaj kishte lidhje me shumë vajza VIP, po nuk mungonte as konkurrenca nga Dukajt i përfolur për historinë rozë me modelen Trejsi Sejdini.

Çfarë di Berisha për Ervis Martinajn? 

'Nuk ka sektor që ky nuk ka shtrirë tentakulat e veta. Ia morën lojërat e fatit Ervis Martinit dhe tani thotë ku është. E di vetë ai ku është. Ai ishte biznesmen i lojërave të fatit. Olsi Rama është përfolur si njeriu në hije i lojërave të fatit. 

 Po kjo çfarë prokurorie është kjo që thuhet se mban një trup me gjashtë copa dhe nuk bën një përgënjeshtrim? Sepse kontrollohet nga Rama. Nëse është në gjashtë copa, familja njoftohet. Është kod shekullor', tha Berisha.

Mbyllja e llotove dhe rikthimi i tyre

31 dhjetori 2018 ishte dita e fundit e punës për bastet si edhe lorjave të fatit.  Një ndër vetmet ligje të Këshillit të Ministrave të cilin u përshëndet pothuajse nga të gjithë ishte ligji për anullimin e llotove dhe lojrave të fatit.Prej 1 janarit 2019 çdo pikë llotosh nuk egzistonte më duke u bërë një nder të madh të gjithë familjeve Shqiptare.

Statistikat e përdoruesve të këtyre lojrave dhe shuma e harxhuar është me të vërtetë e frikshme. Ky ligj është zbatuar nga të gjithë pikat e basteve por ka edhe adresa online që ilegalisht  kanë akses por gjë e mirë është që nuk kanë të gjithë mundësi të luajnë online.

Bosit të humbur të kumarit, gjuetia në kërkim të të cilit, duket se do të vazhdojë gjatë. Ndërsa fati i tij mbetet mister, çuditërisht pas shumë vitesh ndalimi, qeveria hodhi edhe njëherë zarët në shesh.

Duke u shprehur qartë se lojërat e fatit do të rihapen. Ndoshta një përkim rastësor, me zhdukjen e bosit të lojrave të fatit, por që pashmangshmërisht nuk kishte se si këto dy ngjarje të mos i lidhte një sfond politik. Dhe një luftë që tashmë është bërë edhe më e ashpër politike.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video