“Nuk i kemi asnjë borxh Erdoganit”/ Çfarë e detyroi Ramën të shkelte mbi fjalën e dhënë dhe të mbyllë shkollat e “FETO-s”?

22 Shtator 2022, 19:06Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Fethullah Gylen, Edi Rama dhe Recep Tayyip Erdogan

“Nuk i kemi asnjë borxh presidentit të Turqisë dhe Turqisë, sikundër as presidenti i Turqisë dhe Republika e Turqisë nuk na kanë asnjë borxh, sepse mes miqsh dhe mes një miqësie vëllazërore nuk ka asnjë borxh.”

Kjo ishte deklarata e kryeministrit Edi Rama e dhënë për mediat pak ditë pas vizitës së presidentin të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan në Shqipëri më 17 Janar, kur i kërkoi kreut të qeverisë shqiptare që të ndërmarrë hapa konkrete për të luftuar gylenistët si një “parakusht” për miqësinë dhe partneritetin mes dy vendeve.

Erdogan deklaroi atëherë se popullin turk “e lëndon thellë” fakti që në Shqipëri gjen fushëveprim Lëvizja Hizmet e klerikut, Fetullah Gulen.

Gjithsesi, Rama duket se ia refuzoi këtë kërkesë Erdoganit dhe më pas në mediat është aluduar mes dy liderëve të ketë krisje të miqësisë dhe një fakt që i shtonte edhe më shumë dyshimet ishte mos hapja e dyerve të xhamisë së “Namazgjasë”në mes të kryeqytetit, e cila vazhdon të jetë ende e mbyllur edhe sot.

Por sot, Rama duket se ka ndryshuar mendje duke vënë në zbatim kërkesën e Erdogan, duke dalë nga fjala dhe mbi atë çka tha pas vizitës së presidentit turk.

Pak ditë më parë u raportua mbyllja nga Ministria e Arsimit  e kopshtit jopublik "Zubeyde Hanim", pjesë e shoqërisë "Turgut Ozal" të financuar nga filantropi turk Fethullah Gylen., ndërsa sot u mbyll edhe shkolla “Mhmet Akif Ersoy”, përfshirë të gjitha ciklet parauniversitare.

Mbyllja e kopshtit jopublik "Zubeyde Hanim" është bërë me arsyetimin e shkeljes së rëndë të licencës, pasi sipas Ministrisë së Arsimit, godina ku ushtrohej aktiviteti nuk ishte pajisur me autorizimin përkatës nga ministria.

Ndërsa për shkollën “Mhmet Akif Ersoy” nuk jepej shkaku, por  Qeveria me anë të një VKM-je të posaçme detyron këtë institucion arsimor të marrë masat për transferimin e nxënësve në institucione të tjera të arsimit parauniversitar për të gjithë nxënësit e regjistruar dhe të kthejë pagesat e kryera (nëse ka) nga prindi/përfaqësuesi ligjor i nxënësit për pjesën e papërfunduar të shkollimit, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të ketë ndaj nxënësit.

Kopshti jopublik "Zubeyde Hanim" reagoi pas vendimit të Ministrisë së Arsimit duke akuzuar drejtpërdrejt institucionet shqiptare për mbylljen e këtij institucioni, ku vë në pikëpyetje dhe ligjmërinë e vendimit, teksa theksonte në deklaratë se mund të ketë ndodhur nën presione të ndryshme, pa përmendur se nga kush.

Kopshti jopublik "Zubeyde Hanim" bëri me dije se ka depozituar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dokumentacionin për anulimin e urdhrit të Ministrisë së Arsimit dhe se kanë vënë në dijeni të gjitha institucionet shqiptare dhe të huaja.

Por, çfarë e detyroi kryeministrin Rama të ndërmarrë këto veprime?

Siç duket, këto vendime kanë ardhur pas presioneve të vazhdueshme nga presidenti turk Erdogan dhe Rama ka vënë në radhë të parë miqësinë me të.

A i ka premtuar diçka tjetër Erdogan në këmbim apo vetëm përurimin e xhamisë së “Namazgjasë”, kjo mbetet për t’u parë në vijim. Gjithashtu, pritet të shihet dhe nëse Qeveria do marrë apo jo vendime të tjera për të zhdukur të gjitha gjurmët e gulenistëve në Shqipëri.

Erdogan i ka kërkuar Ramës dhe pastrimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, pasi pretendon se dhe ky institucion drejtohet nga organizata “FETO”, siç e konsideron ai.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video