
Shënim: Me mbylljen e ‘Mehmet Akif’ gylenistët janë zyrtarisht jashtë sistemit arsimor shqiptar dhe jo si zgjedhje e Tiranës, por si presion i Erdogan.
Presioni ka nisur fill pas grushtit të shtetit të korrikut të 2016-s dhe ai nuk u fsheh as në vizitën zyrtare që zhvillonte dy vite më vonë në Tiranë, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Ditmir Bushatin, kryediplomati turk kërkoi hapur që Shqipëria të vepronte ndaj gylenistëve, që i cilësoi si terroristë të rrezikshëm që kishin depërtuar në majat më të larta të të gjitha fushave në Shqipëri.
Përgjigja e Bushatit nuk kënaqi Ankaranë.
“Shqipëria ka qenë një ndër vendet e para që është solidarizuar me çfarë ndodhi në Turqi në rrethanat e grushtit të shtetit. Por nga ana tjetër është një vend anëtar i NATO-s, vend kandidat për në BE, ka aderuar në disa dokumente të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e ekstradimit dhe çdo politikë e tillë ndiqet në rrugë diplomatike dhe as se si në konferenca shtypi”, tha ai.
Bushati u largua nga detyra pak muaj më vonë, por jo presioni i Erdogan. Pranverën e 2019-s, Presidenti turk duhej të mbërrinte në Tiranë për të përuruar xhaminë e Namazgjasë. Punimet për ndërtimin e saj kishin nisur që në 2015-n, një vit para grushtit të shtetit të dështuar në Turqi.
Përurimi u shty, pasi ish-kreu i KMSh-së, Skënder Bruëaj konsiderohej gylenist nga Turqia. Për këtë u pritën zgjedhjet për kryetarin e ri, ku pati akuza se Turqia u angazhua në mbështetjen e një kandidati ‘të përshtatshëm me të’.
Megjithatë, zgjedhjet i fitoi Bujar Spahiu një tjetër emër i konsideruar si gylenist. Zgjedhja shtyu në kohë sërish hapjen e xhamisë më të madhe në Ballkan, e financuar nga Turqia.
Zyrtarisht Komuniteti Mysliman thotë se xhamia nuk është hapur sepse po kryhen disa punime të vogla. Por, arsyeja e vërtetë është tjetër. Namazgjaja duhej të përfundonte në 2018-n dhe jemi katër vite nga tejkalimi i këtij afati dhe ajo vazhdon të jetë e mbyllur.
Kjo paralajmëron se pas mbylljes së shkollave ‘gyleniste’, Turqia do të kërkojë edhe spastrime në KMSh, për të vendosur aty mbështetësit e Erdogan. ‘Lufta’ për pushtet brenda komunitetit mund të ashpërsohet me zgjedhjet e reja për kreun e tij. Mandati i Bujar Spahiut përfundon në 2024-n dhe deri atëherë me shumë mundësi as Namazgjaja nuk do të hapë dyert.
Kur ajo të hapë dyert zyrtarisht do të mbyllë fushatën e gjuetisë së gylenistëve që Erdogan ka ndërmarrë në Shqipëri, por që vetëm tani po i sheh rezultatet më të mira falë vendimeve të Qeverisë shqiptare.
Po pse Edi Rama po i jep Erdogan tani ato që nuk ja dha as kur Turqia ndihmoi për tërmetin dhe as kur ndihmoi për pandeminë? Arsyet ndoshta ndodhen jashtë vendit; reagimi ndërkombëtar. Rama i druhej këtij reagimi, por tashmë zhurma e armëve në Ukrainë mund ta mbysë zhurmën e mbylljes pa një motivacion të saktë të një shkolle në Shqipëri, aq më tepër që vendi ynë as i ka shpallur terroristë gylenistët.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.