“Objektivat e mi do të jenë: Reformë e re ligjore, rialokim, riorganizim, analizë e thelluar në të gjitha nivelet e organizatës.”
Kështu u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku menjëherë pas marrjes së detyrës, teksa iu la dhe 100 ditë afat vartësve të tij, duke iu thënë se “fati” i tyre do të varej nga arritja e objektivave.
Por, burime për Vox News.al bëjnë me dije se Rrumbullaku i ka gati që tani disa ndryshime në kupolën e Policisë së Shtetit.
Mësohet se janë propozuar ndryshime të drejtuesve të Drejtorive të Policisë në Qarkun e Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe Fierit.
Sipas burimeve të Vox News.al, për të marrë drejtimin e Policisë së Elbasanit është propozuar Ilir Proda, ndërsa për në krye të Policisë në Qarkun e Tiranës është propozuar Ardian Çipa.
Vlen të theksohet dhe vakti se pak ditë më parë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku anuloi konkursin për gradën kryekomisar, një nismë kjo e paraardhësit të tij, Gledis Nano dhe ky vendim ka ardhur për shkak të ndryshimeve që Rrumbullaku do bëjë në strukturat e Policisë së Shtetit.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.