Çfarë pyetjesh munguan në intervistën e Fevziut me Yuri Kim?!

30 Shtator 2022, 19:46Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Shënim: Intervista e Yuri Kim për Blendi Fevziun u duk shteruese, por ajo nuk ishte as shteruese dhe aq më pak e paanshme dhe kjo jo për faj të ambasadores së SHBA në Tiranë.

Në të u cekën çështje që ka muaj e vite që diskuton opinioni publik, për të cilat ambasadorja e ka thënë fjalën e saj në më shumë se një rast dhe drejtësia ka nisur hetimet. Këtyre iu dha Fevziu rëndësi duke harruar çështjet e ditës.

Ai nuk e pyeti ambasadoren për çështjen e ndërtimeve pa leje të oligarkëve. S’e pyeti as për raportet e shumta vendase e të huaja për pastrimin e parave të pista në këtë sektor. Nuk foli për burimin e parave për vilat e oligarkëve në jug, madje as i përmendi ato.

Nuk e pyeti ambasadoren se çfarë mendonte për investitorët strategjikë dhe se si ata po gllabërojnë pronat e lakmuara publike nga jugu në veri të vendit dhe po ngrenë resorte e hotele miliona euroshe? Nga burojnë paratë për këto resorte, aq më tepër në këto kohë krizash, kur shqiptarët po shtrëngojnë rripin.

Yuri Kim nuk u pyet as për çmimet e shtrenjta dhe bordet ‘komuniste’ siç i quan Rama. Nuk u pyet se çfarë mendonte për krizën e çmimeve në Shqipëri, a ishte ajo vetëm efekt i krizës ndërkombëtare të çmimeve, apo një grusht oligarkësh kanë kapur shtetin prej fyti dhe i caktojnë vetë çmimet?

Pse nuk u pyet ambasadorja se si ka mundësi që kur nafta ulet në bursë, bordi mblidhet dhe e ngre atë dhe kur ajo ngrihet bën sikur ul çmimin? Po për burimin e kullave në Tiranë, përfshirë këtu edhe në tokën e Fevziut pse nuk u pyet ambasadorja?

Si dhe kush i ndërtoi? Nga është burimi i të ardhurave që u investuan e investohen?

Do të ishte me interes për qytetarët shqiptarë që të dinin mendimin e ambasadores së SHBA në lidhje me Portin e Durrësit, pas të cilit Sali Berisha ka akuzuar se qëndron një serb dhe oligarkët shqiptarë?

Pyetjet që Fevziu mund t’i adresonte ambasadores Kim për këtë temë janë të shumta. A kërcënon sigurinë kombëtare e rrjedhimisht të Aleancës së NATO-s një port i tillë? Po ndikimi serb dhe përmes tij ai rus a e kërcënon vendin?

Si këto mund të ketë shumë ‘Pse’ që mbeten pa përgjigje nga intervista e Fevziut, që përveç të gjitha këtyre kulmoi me përpjekjen e Fevziut për të marrë në mbrojtje Ilir Metën, të cilit i qau ‘hallin se po sulmohej për çështjen e dosjes me incialet I.M’.

Por, edhe sikur Meta e bashkë me të edhe Fevziu vetë të kenë të drejtë në lidhje me këtë dosje, ‘damkosja’ si politikan i korruptuar në tre dekada e Ilir Metës nuk mund të zhduket.

A u fut me apo pa dashje intervista në këtë hulli? Fevziu nuk është naiv dhe as i papërvojë. Më shumë se rrëshkitje, pyetjet e intervistës kanë qenë të mirëmenduara dhe me idenë e qartë; shmangien e temave që vërtet u interesojnë e shqetësojnë shqiptarët.

E thënë më thjeshtë, ambasadorja e SHBA u shfrytëzua paturpësisht nga Blendi Fevziu për të mbrojtur interesat personale dhe të oligarkëve që është akuzuar herë pas here se ka nga pas, që nga ata që ndërtojnë resorte e vila në jug, deri të të tjerët që ngrenë kulla edhe pa leje në mes të Tiranës.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video