Edhe për sa kohë do të jetë ish Zv. Kryeministri i akuzuar për korrupsion Ahmetaj, deputet i Parlamentit?!

19 July 2023, 16:27Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Edhe për sa kohë do të jetë ish Zv. Kryeministri i akuzuar
Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj

Heqja e imunitetit të Arben Ahmetajt me shumicë votash në parlament, nuk e zhvesh atë nga një sërë privilegjesh financiare që gëzon si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Nëse nuk jep dorëheqjen apo nuk ka një vendim gjyqësor të formës së prerë, Ahmetaj do të gëzojë mandatin e deputetit për më shumë se gjashtë muaj.

Neni 71 i Kushtetutës sanksionon se mandati i deputetit mbaron apo konsiderohet i pavlefshëm kur mungon pa arsye për më shumë 6 muaj rresht në Kuvend apo kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

Për heqjen e mandatit të deputetit Ahmetaj, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi shpjegon se kjo është një çështje e Kuvendit. Për Komisionin Qëndor të Zgjedhjeve nuk ka njoftim për vakancë dhe KQZ vetë si institucion nuk ka rol në këtë çështje.

Pra vetëm pas më shumë se gjashtë muajsh mungesë në Kuvend, duke përjashtuar periudhën kur parlamenti ndërpret punimet, Ahmetaj mund të jetë në kushtet e heqjes së mandatit. Vetëm atëhere Kuvendi mund të njoftojë për vakancë në radhët e deputetëve të Partisë Socialiste, dhe KQZ-ja t’ia kalojë mandatin kandidatit vijues së listës të të njëjtës parti politike.

Seanca e fundit ku Ahmetaj ka qenë i pranishëm daton më 6 Korrik, një ditë më pas ai u largua jashtë territorit të Shqipërisë për arsye familjare. Dita e largimit të Ahmetajt në Angli, përkon me ditën kur SPAK dërgoi kërkesën në Kuvend për autorizim për kontroll banesash dhe arrestimin e Ahmetajt. Komunikimet e deputetit me zgjedhësit tashmë kryhen vetëm përmes rrjeteve sociale dhe nuk dihet nëse do të rikthehet për të dhënë dorëheqjën dhe për t’u përballur me drejtësinë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video