
Shënim: Pas përpjekjeve për ta lënë Arben Ahmetajn jashtë dosjes së inceneratorëve dhe më pas për ta prezantuar atë në publik si heroi që denoncoi atë që portalet dhe gazetarët pranë ish-zëvendëskryeministrit, që sot po i përvidhet drejtësisë, e kanë quajtur aferë korruptive, ka nisur një tentativë e re.
Këtë herë është përpjekja e dirigjuar në prapaskenë nga Arben Ahmetaj për ta devijuar thelbin se pse po hetohet ai nga SPAK, pse kërkohet të arrestohet dhe akuzat e rënda që rëndojnë mbi të.
Thelbi i kësaj përpjekjeje ku janë investuar portale, studio televizive, analistë dhe gazetarë të përfolur si të afërt me Arben Ahmetajn është goditja e koncesionit të inceneratorit të Tiranës dhe lobimi për ta rinegociuar, apo për ta prishur kontratën dhe me gjasë rikthimin te Sharra e dikurshme kur malet me plehra hidheshin e digjeshin kuturru.
Përpjekjet sipërfaqësore citojnë si argument që shteti të mund të ndërhyjë dhe ndryshojë kontratën diferencën e çmimit të depozitimit për ton në Fier dhe Tiranë. Diferenca është prej 17 eurosh për ton.
Duke iu referuar kësaj diference, ka nisur përpjekja e analistëve dhe gazetarëve pranë Ahmetajt që ta paraqesin si provë të pakundërshtueshme që qeveria dhe institucionet e tjera përgjegjëse të rinegociojnë kontratën dhe të kërkojnë uljen e tarifës.
Por, në këto analiza e vlerësime anashkalohet me ose pa dashje një e vërtetë që s’mund të fshihet. Së pari janë terrenet krejt të ndryshme ku janë ndërtuar landfilli dhe inceneratorit i Fierit dhe ai i Tiranës dhe së dyti sasia e mbetjeve dhe fuqia punëtore e angazhuar për diferencimin e tyre.
Kostoja për ndërtimin e vendgrumbullimit të inceneratorit të Fierit, për shkak të terrenit fushor dhe distancës relativisht të largët të vendbanimeve dhe vendburimeve ujore është shumë herë më e ulët për investitorin.
Në rastin e Tiranës, landfilli dhe ndërtimi i inceneratorit është më kompleks, si përsa i takon terrenit kodrinor, si për sasinë e mbetjeve që duhet të trajtojë, si edhe për shkak të distancës së afërt të vendbanimeve dhe vendburimeve ujore në zonë.
Edhe sa i takon debatit për mungesën e incenerimit publikut po i ofrohen gjysmë të vërteta. Në asnjë analizë nuk përmendet fakti që kompania është brenda afateve për të ndërtuar këtë incenerator dhe as kostoja që ka investuar po kjo kompani për zgjerimin e landfillit, kapsulimin e mbetjeve dhe asgjësimin e tyre më pas në një fazë të mëvonshme.
Pra, bëhet fjalë për një proces të ndërlikuar që angazhon nga punonjës të thjeshtë, deri te inxhinierë të të gjitha fushave, por që publikut i shërbehet shabllon përmes diskutimeve të tarifës së depozitimit, duke lënë mënjanë kostot që dhe detyrimet kontraktuale mjedisore që ka kompania.
E thënë më thjesht, t’i kërkosh sot kompanisë që të ulë më tej tarifën e depozitimit, kur sipas propozimit të IFC-së në kohën kur bashkinë e drejtonte Lulzim Basha kjo tarifë duhet të ishte 37 euro për ton, është njësoj si t’i thuash që të mos arkëtojë asnjë fitim në këmbim të ofrimit të një shërbimi që shteti vetë është i paaftë ta ofrojë.
Atëherë, ç’kuptim ka që u nënshkrua kontrata? Pse nuk vijoi vetë shteti ta kryente këtë shërbim? Përgjigjet për këto pyetje të gjithë i kanë në kokë, por për t’i freskuar mjaftojnë imazhet e Sharrës në tym e flakë para se menaxhimi i mbetjeve t’i besohej privatit.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.