
Hetimet nga SPAK për çështjen e inceneratorëve pritet që të çojnë në pranga një zyrtar të lartë të qeverisë. Kështu mendon analisti Artur Zheji. Ai thotë se arrestimi do të jetë i tillë niveli sa mund t’i hapë rrugë fundit të tranzicionit dhe pandëshkueshmërisë në Shqipëri.
“Pritet një figurë e lartë të shkojë para SPAK për çështjen e iceneratorëve. SPAK mund të sjellë fundin e këtij tranzicioni. Ndoshta tani po ndodh goditja shumë e fortë e dinastive dhe njerëzve dhe personazheve të konsideruar të paprekshëm deri pak kohë më parë”, tha Zheji në një intervistë për News24.
Në lidhje me çështjen e inceneratorëve më herët ka paralajmëruar edhe Arian Çani se pritet të ndalohet e merret në hetim një ministër i Qeverisë Rama. Çani nuk dha emër, por vetëm inicialin A, duke lënë të kuptohet se është një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Kryeministrit.
"Shumë shpejt pritet një tjetër çështje penale. Do të merret një i pandehur nga qeveria për inceneratorët. I fillon emri me A. Nëse kjo ndodh, se mos më thoni që Edi Rama nuk dinte gjë. Kujdes po të mbajti afër Edi Rama se në fund e ke ngrënë sa krahu!", tha Çani.
Zërat për këto zhvillimi janë shtuar pas fjalës së Edi Ramës në Kongresin e PS më 9 prill. Gjatë Kongresit, kryeministri Edi Rama ‘goditi’ sa jashtë, ashtu edhe brenda partisë. Me rreshtave, një fjali e shkurtër e tij u drejtohej deputetëve dhe ministrave që ka në varësi për të mos qenë ‘grykës’ dhe të vendosin pasuri në kurriz të shqiptarëve.
“Në botën tjetër nuk punojnë kartat e kreditit. Në Sharrë më mirë përgatituni që të shkoni siç dilja unë dikur në plazh se asgjë nuk ju dallon nga ata tjerët atje dhe kostumin lëruani djemve... se me burrat e kam”, tha Rama.
Burime të Voxnews.al pohojnë se në Qeveri të gjithë e dinë për një ministër që është kapur me karta krediti të një biznesmeni duke shpenzuar mbi 200 mijë euro dhe të cilit nuk iu dha hapësirë për të folur gjatë Kongresit. Ai është përfolur këto kohë se do të shkarkohet nga posti.
Por, për cilin nga ministrat e ishte drejtuar mesazhi i koduar i Edi Ramës? Një përgjigje të saktë për këtë pyetje vetëm kryeministri mund të japë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.