A u manipulua gara? KED, dy vlerësime për Holta Zaçajn në Kushtetuese

19 Janar 2023, 18:17Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Holta Zaçaj

I njëjti emër, dy vakanca, dy vlerësime të ndryshme me pikë. Procesi i zgjedhjes së Holta Zaçajt si anëtare e Gjykatës Kushtetuese në vend të Vitore Tushës mbulohet nga hije të forta dyshimi se ka qenë i paracaktuar.

Dyshimet lindin nga fakti që në harkun kohor të katër muajve, kandidatja Holta Zaçaj ka dy vlerësime pikëzimi të dhëna nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Në vlerësimin e parë, atë të 11 gushtit 2022, Holta Zaçaj vlerësohet nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me 82.2 pikë.

Katër muaj më vonë, më 23 dhjetor të 2022-it, me një njoftim në faqen zyrtare i njëjti institucion publikon renditjen e kandidaturave për të zëvendësuar Vitoren Tushën si anëtare e nëntë e Gjykatës Kushtetuese.

Kandidaturat janë dy, Holta Zaçaj dhe Elsa Miha. Në këtë njoftim, Holta Zaçaj vlerësohet me 84.72 pikë, ndërsa Elsa Miha me 82.22 pikë. Votimi në Gjykatën e Lartë u nda me numër të barabartë votash, ndërsa tre vota u shpallën të pavlefshme.

Si e renditur e para në listën e KED-së, Holta Zaçaj u zgjodh anëtare e Gjykatës Kushtetuese, duke përfituar nga 2.7 pikët që Këshilli ja shtoi në krahasim me vlerësimin e dhënë në muajin gusht.

Nëse Zaçaj nuk do të kishte këtë shtesë, kandidatja tjetër, Elsa Miha do të ishte e para në listën e KED-së me vetëm 0.2 pikë më shumë. Diferenca është e vogël, por e mjaftueshme për të ndryshuar fituesin në garën për një karrige në Gjykatën Kushtetuese.

Nga vendimi nr. 66 dt 22.12.2022 i KED, rezulton që shtesa e pikëve të jetë bërë jashtë procedurës dhe bazuar në një master shkencor i cili sipas rubrikave të pikëzimit nuk përfiton pikë, ndërkohë që pikët e dhëna shtesë janë dhënë si për master ekzekutiv.

Kandidates Elsa Miha nga ana tjetër nuk i janë marrë në shqyrtim disa dokumenta që do të siguronin një pikëzim më të lartë të saj. Këto akte kanë mbetur në sekretarinë e KED dhe nuk u janë dërguar anëtarëve të KED. Për këtë arsye kandidatja Miha ka kërkuar rishikim të vendimit në KED duke kërkuar të vlerësohen edhe këto akte, duke i kërkuar ndërkohë Gjykatës së Lartë të shtyjë votimin derisa të shprehet KED me vendim. Pavarësisht kësaj kërkesë, Gjykata e Lartë nuk e ka konsideruar kërkesën dhe ka proceduar me votimin. Ndërkohë, KED nesër merr në shqyrtim këtë kërkesë dhe mundet që pikëzimi të ndryshojë dhe për pasojë edhe renditja. Duke qenë që kandidatja Holta Zaccaj nuk është zgjedhur për shkak të votave, por për shkak të renditjes mbetet për t’u parë se si do të vijohet me përzgjedhjen.

Ajo që thellon edhe më tej dyshimet është fakti se si u shtuan pikët Holta Zaçajt, pasi nuk ka një vendimmarrje publike të Këshillit të Emërimit në Drejtësi, ku të jetë rivlerësuar profesionalizmi i Holta Zaçajt, duke i rritur 2.7 pikë në vlerësimin përfundimtar.

Video