Në vrullin e përditshëm të akuzave e kundërakuzave që vërshojnë prej muajsh tashmë, krijohet ideja e një mjedisi kompleks politik me mpleksje interesash të mëdha. Por, nëse shihet panorama e madhe e gjithë debatit të nisur me çështjen e inceneratorëve, situata mund të jetë më e thjeshtë dhe ai që e thjeshton gjithë ekuacionin është vetëm një emër; Arben Ahmetajt.
Lidhja e vetme që i ka ngelur Ahmetajt me Partinë Socialiste sot është mandati i deputetit që e ka marrë nën siglën e saj. Nga postet e tjera që mbante, në qeveri dhe parti u zhvesh. Por, megjithëse ‘vulnerabël’ ndaj akuzave, pa post me peshë, pa mbrojtje politike dhe me akuzat e indiciet që e lidhin fort me inceneratorët përmes pagesave që ka përfituar nga Klodian Zoto përmendja e emrit të tij me dosjen e inceneratorëve duket tabu për opozitën.
Opozita është investuar prej kohësh me deklarata të përditshme, ku herë akuzohet Rama, herë Veliaj, herë të dy bashkë dhe herë të gjithë të tjerët. Ai që nuk akuzohet është Arben Ahmetaj. Arsyet e sakta për këtë i di opozita se pse, por ky qëndrim i përsëritur ndër muaj i saj u hedh benzinë zërave që qarkullojnë edhe në korridoret e PS-së, Qeverisë dhe të vetë opozitës.
Sipas këtyre zërave, Arben Ahmetaj ishte asi nën mëngë i opozitës për të rrëzuar Edi Ramën dhe Erion Veliajn dhe këtë u përpoq ta realizonte përmes dorëzimit të dosjes së inceneratorëve, jo te organet e drejtësisë, por te opozita.
Kjo e fundit e mori dhe e përdori e vazhdon ta përdorë politikisht për përfitime elektorale, duke sulmuar Ramën e Veliajn. Ky me gjasë ka qenë plani i Arben Ahmetajt, plan që diku iu dekonspirua me publikimin e dokumenteve që ngrenë dyshime të forta se ai jo vetëm që ka lidhje me çështjen e inceneratorëve, por mund të jetë edhe ideatori i tyre.
Nga ana tjetër, opozita vetë më shumë së ndihmë në këto denoncime e ka dëmtuar dosjen. Dëmi i parë i madh që iu bë dosjes ishte mospërfshirja e Arben Ahmetajt mes emrave që të paktën duhej të ishin marrë në pyetje nga SPAK për këtë çështje.
Dëmi i dytë lidhet me presionin negativ të ushtruar ndaj SPAK dhe gjykatave, të cilat nën këtë presion mbajnë në arrest me burg persona që as kërcënojnë hetimet, as prishjen e provave, pasi ato janë administruar tashmë. Fatkeqësisht, këto vendimmarrje të drejtësisë kanë prodhuar edhe pasoja tragjike, siç ishte vdekja në qeli e Enver Sheshit, njëri prej të akuzuarve./TopNews