
Rasti tragjik i Enver Sheshit, që ndërroi jetë në qelitë e paraburgimit më të ashpër e famëkeq që ka Shqipëria nxjerr zbuluar sheshit një ‘efekt anësor’ të reformës në drejtësi, që pakkush mund ta kishte parashikuar.
Mbajtja e të ndjerit në qeli, edhe pse në gjykata dorëzoi një tufë dokumentacionesh që vërtetonin problematikat me shëndetin ngre dyshime të forta se në përpjekje për të bërë drejtësi po shkelen me të dyja këmbët liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.
Shkeljet burojnë nga ‘pushteti’ juridik, por më shumë se juridik, publik që i është mveshur SPAK-ut. Prokuroria e Posaçme, ligjërisht ka në dorë ngritjen e akuzave dhe kërkesave për masat e sigurisë, bazuar në rrezikshmërinë e personave nën hetim.
Më pas, për këto akuza dhe për masat e sigurisë, po ligjërisht duhet të jetë gjykata ajo që duhet të thotë fjalën e fundit. Por, në tre vite SPAK dhe gjykata të posaçme, rastet kur këto gjykata kanë vendosur ndryshe nga kërkesat e prokurorëve të posaçëm janë pothuajse zero.
Kjo pasqyrohet edhe në raportet vjetore të SPAK-ut, ku për vitet 2020 dhe 2021, masat shtrënguese të sigurisë të miratuara nga gjykata shkojnë deri në 90 për qind të totalit të kërkesave të SPAK.
Më shumë se sa një punë e mirë e SPAK, shifra sugjeron se është vetë gjykata që është shndërruar në këtë rast në një notere të prokurorisë së posaçme dhe prokuroria e posaçme de fakto ka marrë edhe pushtetin e gjykatës.
Shembulli më tipik është rasti i Enver Sheshit, për të cilin avokatët kërkuan zbutjen e masës së sigurisë për t’i dhënë mundësi të merrte kujdesin e duhur shëndetësor, ndërsa SPAK kërkoi lënien nën masën e sigurisë arrest me burg.
Gjykata, në vendimin e marrë nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi shpërfilli provat e paraqitura në dosjen shëndetësore 59-vjeçarit dhe për më tepër, as shpërfilli gjithashtu edhe faktin që i ndjeri ishte hetuar e dënuar në një rast për të njëjtën akuzë evazioni me inceneratorin e Fierit.
Si rasti i Sheshit shembuj të tjerë ka plot. Në të gjitha rastet, para ligjit e provave, gjykata ka vendosur kërkesat e SPAK-ut, duke u shndërruar me, apo pa dashje nga një organ që ka fjalën kryesore në një proces gjyqësor në zyrë noterie.
Ky është efekti kryesor anësor i reformës në drejtësi, pasojat e të cilit mund të jenë edhe më të rënda në vijim nëse gjykatat e posaçme nuk i vënë fre oreksit të prokurorisë së posaçme, që më shumë se drejtësisë, me kërkesat shpesh absurde për të mbajtur e trajtuar në qeli si kriminelë të rrezikshëm persona që ka nën hetim, bilancet i duhen për raportet vjetore.
Në këto raporte janë paraqitur për dy vite si tregues suksesi numri i lartë i masave të sigurimit arrest me burg, madje me përpjekje për ta shitur këtë edhe si tregues të cilësisë së hetimeve. Por, vetëm rasti i Arben Ahmetajt dhe mospërfshirja e provave që tregojnë përfitimet e tij nga Klodian Zoto, sugjeron se SPAK ‘gjen gjilpërën në kashtë’, por nuk sheh ‘traun para hundës’.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.