Sfida e SPAK për 2023: Të pastrojë emrin nga ‘njolla’ Arben Ahmetaj

1 Janar 2023, 16:35Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

SPAK e mbylli vitin 2022 në qendër të një skandali me akuza për fshehje provash dhe hetim me dy standarde në dosjen e inceneratorit të Elbasanit.

Denoncimi i gazetarit Adriatik Doçi në dhjetë ditët e para të dhjetorit ndaj prokurorëve Ened Nakuçi dhe Klodian Braho përforcoi bindjen e një numri jo të vogël qytetarësh pesimistë ndaj reformës në drejtësi.

Thelbi i reformës është ndëshkimi i atyre që quhen të paprekshëm, ose siç i quante ish-Ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu…’Peshqit e Mëdhenj’. Kështu deklaronte në 2016-n diplomati amerikan, duke garantuar se rrjeta ku do të binin peshqit e mëdhenj ishte Struktura e Posaçme Antikorrupsion, SPAK.

SPAK bëri tre vite tashmë. Për disa mund të jenë pak, por për të dhënë shembuj serioziteti në luftën kundër korrupsionit të zyrtarëve të nivelit të lartë koha ka dalë dhe ka tepruar.

A e ka kaluar SPAK testin? Me zhvillimet që ndodhën në fund të vitit të kaluar, e vështirë të thuhet po. Rasti në dosjen e inceneratorit të Elbasanit tregon se rrjeta e imët e SPAK-ut deri më tani duke se është e qëndisur vetëm për zyrtarë të nivelit të dytë, ose ish-zyrtarë.

Kur vjen puna te ata që Donald Lu i quante ‘Peshk i Madh’, rrjeta ose çahet, ose nuk hidhet fare. Ky është rasti i Arben Ahmetajt, ku sipas denoncimit të bërë në SPAK, dy prokurorët Klodian Braho dhe Ened Nakuçi kanë marrë të pandehur ish-drejtoren në Ministrinë e Infrastrukturës dhe anëtaren e vlerësimit të ofertave, Etleva Kondi pasi kanë siguruar prova e fatura se si kishte përfituar ish-zyrtarja nga inceneratorët.

Por, të njëjtët prokurorë akuzohen se nuk panë provat që ngrenë dyshimet se Arben Ahmetaj ka përfituar, po aq sa Etleva Kondi, mos edhe më shumë nëse do t’u referohemi akuzave të Sali Berishës, që e cilëson ish-ministrin si ‘strumbullar’ në dosjen e inceneratorëve.

Indiciet që të çojnë te Ahmetaj ishin në të njëjtat pajisje ku prokurorët Braho e Nakuçi gjetën ato të Etleva Kondit, por nëse të dhënat për Etleva Kondin u morën parasysh dhe u përfshinë në dosje, ato për Arben Ahmetajn nuk u bënë pjesë e saj.

Skandali u thellua më pas me përpjekjen e dy prokurorëve përmes njoftimeve për të treguar se hetimet nuk ishin mbyllur, duke nënkuptuar se Ahmetaj mund të merrej i pandehur. Megjithatë, si dosja për inceneratorin e Elbasanit, ashtu edhe ajo për atë të Fierit janë dorëzuar në gjykatë dhe në të nuk përmendet jo vetëm emri i Arben Ahmetajt, por as përgjegjësia e Ministrisë së Ekonomisë dhe Sipërmarrjes që ai drejtonte në kohën kur janë dhënë dy koncesionet.

Për ta thelluar edhe më tej, kallëzimit të gazetarit Adriatik Doçi ndaj dy prokurorëve Braho dhe Nakuçi, një tjetër prokuror i SPAK, Alfred Shehu iu përgjigj brenda 13 ditëve duke e refuzuar atë. Arsyetimi i dhënë ishte përmes fjalëve të përdorura edhe nga vetë prokurorët e kallëzuar, duke mos bërë asnjë verifikim nëse dokumentet e përfshira në kallëzim ishin prova që implikonin Ahmetajn me inceneratorët, apo jo.

Prokurori citoi ‘bindjen e brendshme’ të kolegëve të tij për të mos i përfshirë në dosje këto prova, apo vënë në dyshim vërtetësinë e tyre dhe me vendimin e marrë foli më shumë si gjykatës.

Më 30 dhjetor, gazetari Doçi e ankimoi në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion vendimin për rrëzimin e kallëzimit. Por, e gjithë loja e zhvilluar brenda një harku kohor të 20 ditëve la shijen e hidhur te shqiptarët në lidhje me punën e SPAK.

Kjo duhet të jetë sfida e Prokurorisë së Posaçme për 2023. Të shmangë akuzat e trajtimit të provave me dy standarde dhe të përfshijë në rrjetën e vet edhe ‘peshqit e mëdhenj’. Kjo kërkon prokurorë me integritet, që vërtetë të shohin provat dhe jo emrat që fshihen pas këtyre provave, siç deklaroi Altin Dumani para Këshillit të Lartë të Prokurorisë para se të zgjidhej në krye të SPAK.

 

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video