Pasi e favorizoi përgjatë të gjithë vitit me çmimin e naftës, pasi i legalizoi shtesat pa leje në mes të Tiranës, zv.Kryeministrja Belinda Balluku e mbylli këtë vit duke i bërë qokën e fundit Shefqet Kastratit.
Balluku u shfaq nga Aeroporti i Rinasit, koncesioni bujar që edhe me firmën e zv.kryeministres u bë edhe më shumë bujar me zgjatjen prej 13 vitesh për Shefqet Kastratin.
Zv.Kryeministrja u shfaq nga terminali duke thënë se është data 30 dhjetor dhe priten 15 mijë pasagjerë në këtë aeroport dhe se si falë punës së Kastratit nuk kishte as radhë dhe as ndonjë problematikë tjetër.
Nuk mund të konfirmojmë nëse Balluku ka qenë vërtet më 30 dhjetor në Rinas, apo videoja ishte montazh i përgatitur që më herët. Por, mund të konfirmojmë se si e njëjta ministre u vu në shërbim të oligarkut, fillimisht duke bërë me një kalim rrugën e Rinasit dhe më pas duke përdorur paratë e qytetarëve për t’i ndërtuar një rrugë të posaçme koncesionit të Kastratit.
Mund të konfirmojmë gjithashtu edhe shifrat marramendëse që përfundojnë në xhepat e Shefqet Kastratit falë këtij koncesioni.
Ai do ta mbyllë koncesionin e Aeroportit të Rinasit me një fitim neto prej 300 milionë eurosh. Shifra del nga përllogaritja e përafërt bazuar në bilancet e dorëzuara nga kompania koncesionare në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Sipas këtyre bilanceve, pa u mbushur ende dy vitet e para, Kastrati ka ndarë si divident rreth 34 milionë euro, që do të thotë 17 milionë euro fitim vjetor. Bilanci pozitiv është regjistruar në vitet më të këqija për transportin ajror, ku për muaj me radhë fluturimet u pezulluan, apo kufizuan prej pandemisë së Covid-19. Me heqjen e këtyre kufizimeve, fitimet vjetore të Kastratit mund të shkojnë mbi 30 milionë euro.
Gjithsesi, po të marrim një mesatare vjetore fitimi prej 20 milionë eurosh dhe ta shumëzojmë me 15, aq vite sa është koncesioni që përfundon në 2035-n, aeroporti do t’i sigurojë Kastratit 300 mln euro vetëm fitime.
Shefqet Kastrati bleu nga kinezët në fund të 2020 koncesionin e Aeroportit të Rinasit për 71 milionë euro, ndërsa së fundmi ja shiti vetes për 45 milionë euro. Duke i shtuar kësaj shume edhe 33 mln eurot e fitimeve, rezulton se koncesioni ka tejkaluar me 7 mln euro koston e blerjes.
Në fillim të 2021, Qeveria e zgjati afatin me 13 vite duke u bazuar në një raport të dyshimtë auditi që tregonte se sa dëm i kishte bërë koncesionin pandemia e Covid. Zgjatja e kontratës u bë me detyrimin që Shefqet Kastrati të investojë në zgjatjen e pistës, ndërtimit të dy rrugëve të reja hyrje-daljeje për në aeroport dhe investime të tjera.
Kontrata thotë se koncesionari merr përsipër investime prej 100 milionë eurosh në aeroport, shifër që vihet në dyshim nisur nga kostoja reale e punimeve që listohen në të njëjtën marrëveshje. Për më tepër, edhe njëra prej rrugëve hyrëse për në aeroport po financohet nga buxheti i shtetit përmes Autoritetit Rrugor Shqiptar.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.