Përfitimet e Ahmetajt nga inceneratorët, padia në Gjykatë: Të hetohen dy prokurorët e SPAK

3 Janar 2023, 19:19Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Klodian Braho, Ened Nakuçi, Arben Ahmetaj

Dy prokurorët Ened Nakuçi dhe Klodian Braho kanë lënë qëllimisht jashtë dosjes së inceneratorit të Elbasanit provat që tregojnë përfitimet financiare të Arben Ahmetajt nga ky koncesion.

Kjo është akuza që ka ripërsëritur gazetari Adriatik Doçi në kërkesën e depozituar më 30 dhjetor në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion.

Gazetari thotë se dy prokurorët e SPAK kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë kryer veprime që pengojnë në zbardhjen e së vërtetës dhe kërkon rrëzimin e vendimit të prokurorit tjetër të posaçëm, Alfred Shehu për të mos nisur hetimet për ndjekje penale.

Momenti kyç në hetimet e kësaj dosjeje nga dy prokurorët, Braho dhe Nakuçi, sipas gazetarit është momenti i marrjes së provave nga pajisjet elektronike të sekuestruara të Klodian Zotos, diferencimi i trajtimit të tyre dhe mosthirrja as për t’u marrë në pyetje e Arben Ahmetajt.

Doçi i kërkon gjykatës që për këto arsye të rrëzojë vendimin e prokurorit Alfred Shehu dhe të nisen hetimet penale ndaj dy prokurorëve të SPAK.

Gazetari thotë se në vendimin e prokurorit Alfred Shehu as shpjegohet dhe as analizohet në asnjë rresht se cilat janë arsyet për mospërfshirjen në dosje të e-maileve që provojnë përfitimet financiare të Arben Ahmetajt.

Prokurori Arben Shehu mbylli pas 13 ditësh hetimet për kallëzimin e Adriatik Doçit ndaj dy prokurorëve Braho e Nakuçi. Në arsyetimin e dhënë, ai citon si një prej arsyeve ‘bindjen e brendshme të prokurorëve për të mos i marrë si prova e-mailet ku përfshihej Arben Ahmetaj’, pavarësisht se për të njëjtën gjë kishin vepruar ndryshe në rastin e Etleva Kondit, ish-zyrtare e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Nga emailet e përfshira në dosjen e kallëzimit të gazetarit, rezulton se në të paktën gjashtë raste, Arben Ahmetaj ka përfituar pagesa të hoteleve të shtrenjta të Europës nga Klodian Zoto dhe për më tepër këto pagesa nuk i ka deklaruar në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit të Pasurive, siç e kërkon ligji.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video