Viti i Ilir Metës, nga çjerrja e maskës me Ahmetajn te largimet masive nga partia

4 Janar 2023, 16:05Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ilir Meta

Sali Berisha doli në konferencën tradicionale të fundvitit me gazetarët si udhëheqës i opozitës, Edi Rama përcolli një mesazh urimi video më datë 31 dhjetor, ndërsa kishte njoftuar më herët përmes rrjeteve sociale paketën prej 8 miliardë lekësh si ndihmë e drejtpërdrejt financiare për 1 milionë shqiptarë.

I vetmi që shmangu daljet publike në ditët e fundit të vitit të kaluar ishte Ilir Meta. Gjysmën e 2022 ai ishte President i Republikës dhe në gjysmën tjetër kryetar i Partisë së Lirisë, që e themeloi nga LSI fill pas dorëzimit të Presidencës më 24 korrik.

Megjithatë, Meta shmangu si gazetarët, ashtu edhe ekranet në fund të vitit 2022. Ai nuk bëri një bilanc të arritjeve të vitit si President, e më pas si kryetar i Partisë së Lirisë dhe as doli të fliste për objektivat e vendosur në 2023, aq më tepër që ky është një vit elektoral.

Për objektivat kreu i Partisë së Lirisë është ende në kohë të flasë, pasi viti sapo ka nisur. Por, bilanci i 2022 mund të kalojë në heshtje. Viti u mbyll me lajmin e largimit të një prej katër deputetëve që partia e Metës ka në Kuvend dhe me rikthimin e akuzave për një pakt të fshehtë mes tij dhe Arben Ahmetajt për dosjen e inceneratorëve.

Pas kallëzimit në SPAK të gazetarit Adriatik Doçi, për Ahmetajn rrodhën në publik disa fatura që tregonin se edhe ai kishte përfituar financiarisht nga Klodian Zoto, pronar në kërkim i inceneratorit të Elbasanit, i denoncuar në SPAK nga LSI dhe e përdorur si flamur në publik e në fushata nga kjo parti dhe ish-kryetarja e saj, Monika Kryemadhi.

Meta shmangu komentet dhe deklaratat mbi këto fatura, ndërsa vijoi të përmendte denonconte çështjen e inceneratorëve, por pa përmendur në asnjë rast emrin e Arben Ahmetajt.

Megjithatë, edhe para se të mbyllej, bilanci nuk ishte edhe aq pozitiv. Partisë së re të themeluar në korrik iu larguan ‘garda e vjetër’ e bashkëpunëtorëve të ngushtë të Metës në dy qeverisjet e tij me Berishën e Ramën nga 2009 deri në 2017.

Meta u përpoq, që pas pesë vitesh në Presidencën e trazuar, të mblidhte rreth vetes në Partinë e Lirisë ‘copëzat’ e shkëputura nga LSI pas zgjedhjeve parlamentare të 2021. Por, numri i atyre që iu përgjigjën ftesës numërohej me gishtat e njërës dorë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video