Heshtja e SPAK-ut/ A po hetohet apo jo Arben Ahmetaj?

18 January 2023, 17:21Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Heshtja e SPAK-ut/ A po hetohet apo jo Arben Ahmetaj?
Arben Ahmetaj dhe dy prokurorët e SPAK, Klodian Braho dhe Ened Nakuçi

Kanë kaluar 6 javë që kur në SPAK u dorëzua kallëzimi me dyshimet ndaj dy prokurorëve të strukturës së posaçme, Klodian Braho dhe Ened Nakuçi për fshehje të provave që përfshinin Arben Ahmetajn në dosjen e inceneratorit të Elbasanit.

Sipas kallëzimit të depozituar nga Adriatik Doçi, dy prokurorët në fjalë nuk morën parasysh faturat e pagesave të Klodian Zotos për llogari të Arben Ahmetajt. Bëhet fjalë për pagesa mijëra euroshe që Zoto ka bërë për qëndrime të ish-ministrit në hotele luksoze të Europës.

Dy prokurorët iu kundërpërgjigjën kallëzimit me disa njoftime me lajme të vjetra e proceduriale, duke nënkuptuar se dosja nuk ishte mbyllur dhe se Ahmetaj mund të ishte pjesë e saj, apo edhe se po hetohej.

Të njëjtën arsyetim përdori edhe kolegu i dy prokurorëve, Alfred Shehu në vendimin e marrë për të mos nisur hetimet për kallëzimin e Doçit. Gazetari nuk është tërhequr dhe ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme kërkesën për të nisur hetimet ndaj dy prokurorëve të SPAK.

Kallëzimi kërkon ndjekjen penale të dy prokurorëve për shpërdorim të rëndë detyre. Por, për këtë do të vendosë gjykata. Ajo që ka rëndësi është që edhe sot, pas gjashtë javësh askush s’është i qartë a po hetohet apo jo Arben Ahmetaj? 

Cilado qoftë përgjigja kërkon një shpjegim. Nëse është jo, duhet argumentuar se pse dhe nëse është po, duhet sqaruar se pse Ahmetaj nuk është marrë ende në pyetje.

Këto pyetje presin përgjigje, por jo thjesht proceduriale e zvarritëse me terma që herë nënkuptojnë se po hetohet, e herë tjetër që nuk po hetohet.

 


Video