Shënim: Partitë e opozitës kanë lajmëruar një protestë në datën 7 korrik.
Siç është vënë re nga opinioni, kur mungon një tension social, protesta janë gjithnjë të vogla. Kjo jo se nuk ka arsye për të protestuar, por ata që po e thërrasin tubimin janë jo vetëm të inkriminuar, por dhe jo më të mirë sesa këta që po na qeverisin.
Sali Berisha është i shpallur non grata për korrupsion nga SHBA. Ilir Meta e pret me ankth një vendim të tillë. Monika Kryemadhi është simbol i korrupsionit bazuar në shumë raporte ndërkombëtare.
Por për të mos dështuar protesta, ka menduar mendja 'pjellore' e kryetares de jure të LSI-së.
Ajo ka disa javë që përmend lart e poshtë nëpër studio një dosje evazioni me disa pleq fatkeq, të cilët në perëndim të jetës do u duhet të përballen dhe me baltën e një politike që ka bërë pis këdo që i ka dalë para.
Ata janë disa qytetarë të cilët as e dinë se kush i ka futur në atë skemë, as kanë përfituar gjë dhe as janë fajtorë.
Kjo skemë që pretendon zonja Kryemadhi është shumë e vjetër dhe është bërë rëndom në Shqipëri.
Kulmin e ka pasur kur kryetarja e saj e Tiranës ka qenë në krye të Tatimeve.
Prokuroria ka çështje të regjistruara për fatura fiktive, për rimbursim TVSH-je fiktive dhe për kompani fiktive.
Për shkak se pas tyre janë emrat më të fortë të biznesit, ku përfshihen oligarkët kryesorë të vendit, askush s’ka guxuar ta hapë kapakun e atyre dosjeve.
Një pjesë prej tyre edhe janë parashkruar, të tjerat po bëjnë ç’të mundet që mos të nisin hetimet.
Kryemadhi si ndër njerëzit që ka marrë informacione, ka nisur të bëjë selektimin.
Ka nxjerrë një listë që sipas saj kanë bërë evazion për llogari të inceneratorëve.
Kryetarja e LSI thotë se kanë bërë evazion 189 milion dollarë. Në fakt, të tre inceneratorët, deri tani nga buxheti i shtetit kanë marrë rreth 100 milion dollarë. Pra nëse do bënin 100 për qind të shumës evazion, kaq do të ishte totali.
E dyta, Kryemadhi nuk nxjerr asnjë listë me të dhëna se kush i ka hapur këto kompani, kush i ka paguar dhe kush ka firmosur.
Nëse do bënte këtë, atëherë do të dilnin emra të cilët jo vetëm kanë media dhe grupe interesi shumë të mëdha, por ndoshta dhe ndonjë familjar i bashkëpunëtorëve të saj do të ishte në skemë.
Prandaj Kryemadhi tregohet selektive, por për hir të transparencës SPAK duhet ta nisë sa më parë këtë hetim dhe të zgjeruar.
Kur Kryemadhi i di të gjitha këto, pse i bën si deklarata?
Ajo e ka të qartë se grupet e oligarkëve që janë të përfshirë janë aq të fortë sa ky hetim s’do shkojë kurrë deri në fund.
Por asaj i duhet pak oksigjen për protestën e datës 7 korrik.
Dhe për këtë ka menduar të mbajë të ndezur zjarrin e aferës së inceneratorëve.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.