90-vjeçarja Haxhire Gurakuqi ditën e djeshme u bë e "famshme" nga mediat online, dhe opozita pasi ajo jeton në azilin e pleqve, por në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton si biznesmene. Në një intervistë ajo ka deklaruar se është mashtruar nga dy persona, të cilët i kanë dhënë disa dokumente për t’i firmosur me justifikimin që t’i zhbllokohej një shumë parash.
Monika Kryemadhi deklaroi në një konferencë për mediat se kompania “SOPOTONIA”, ku Haxhire Gurakuqi rezulton si administratore ka bashkëpunuar me kompaninë e inceneratorëve për të bërë evazion fiskal. Por, deklarata e Kryemadhit ishte gjysmake, selektive, fshehu emrat e rëndësishëm dhe nuk tha të vërtetën se cila është skema e kësaj kompanie.
Pas këtyre lajmeve ka reaguar konçesionari i Tiranës i cili e quan shpifje dhe sajesë e Monika Kryemadhi. Konçesionari në reagimin e tij shkruan se nuk ka furnitorë asnjë nga subjektet e përmendura nga Znj. Kryemadhi. Për rrjedhojë nuk ka asnjë shkëmbim tregtar me asnjë prej tyre.
Deklarata e plotë:
Deklaratë e Shoqërisë Koncesionare Integrated Energy B. V. SPV
Ditën e djeshme opinioni publik ra preh e dizinformimit të qëllimshëm, me akuzat e hedhura kundrejt Shoqërisë tonë nga kryetarja e partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) Znj. Monika Kryemadhi. Sipas saj një skemë mashtrimi me TVSH, e disa kompanive fiktive që kanë operuar në Shqipëri ka përfshirë Integrated Energy B. V. SPV (IEBV).
Po sipas saj këto kompani kanë pasur marrëdhënie tregtare me Shoqërinë Koncesionare Integrated Energy B.V. SPV. e cila ndërton dhe menaxhon Zonën e Trajtimit të Mbetjeve në Tiranë.
Në interes të publikut deklarojmë se: IEBV, nuk ka furnitorë asnjë nga subjektet e përmendura nga Znj. Kryemadhi. Për rrjedhojë nuk ka asnjë shkëmbim tregtar me asnjë prej tyre. Kompanitë që përmend Znj. Kryemadhi nuk janë bashkëpunëtore në veprimtaritë tona.
Asnjë shpifje dhe baltosje nuk mbulon investimin dhe punën e Shoqerisë Koncesionare IEBV.
Dokumentet dhe e vërteta janë të aksesueshme. Investimi dhe puna e përditshme po ashtu. Ne refuzojmë çdo shpifje, hamendje, apo dashakeqësi që keqinformon publikun për qëllime politike apo çfarëdo qëllimi tjetër.
Ftojmë mediat të vijnë pranë Zonës së Trajtimit të Mbetjeve, jemi të hapur për çdo sqarim dhe të gatshëm për të hedhur dritë mbi të vërtetën.
Integrated Energy B.V. SPV