Erë ndryshimi në qeveri? Edi Rama përzë Arben Ahmetajn nga rrethi i ngushtë

4 July 2022, 11:58Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Erë ndryshimi në qeveri? Edi Rama përzë Arben Ahmetajn nga
Edi Rama dhe Arben Ahmetajn

Shtohen sinjalet për ndryshime në qeveri, gazeta SOT shkruan se kryeministri Edi Rama është i pakënaqur me punën e disa prej ministrave të kabinetet që drejton, ndërkohë që edhe në korridoret e politikës dhe jovetëm, ka zërë se rikompozimi i qeverisë është më afër se kurrë.

Janë disa ministra që janë vendosur në qendër të kritikave, për shkak se kanë treguar performancë të dobët në punë dhe në publik, teksa më i rrezikuar është zv/kryeministri Arben Ahmetaj, me të cilin kryeministri Rama ka thelluara përplasjen.

Kështu burime të sigurta nga selia rozë theksuan se ditët e fundit është rritur shumë distanca mes Ramës dhe Ahmetajt. Sinjali më i freskët vjen nga kjo fundjavë, ku në prani të kryeministrit Rama, ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, deputetëve të zonës dhe kryebashkiakëve të qarkut, u inaugurua rruga e re Kardhiq-Delvinë, e cila shkurton kohën e udhëtimit drejt Sarandës me 45 minuta.

Me një gjatësi prej 33 km, përfundimi i rrugës Kardhiq-Delvinë e shkurton me 3 orë kohën e udhëtimit nga Tirana në Sarandë, duke i dhënë një hov të mëtejshëm zhvillimit shumëdimensional të zonës dhe vendit. Por ajo që rra në sy në këtë ceremoni që u trumbetua shumë në media, ishte fakti se mungonte Arben Ahmetaj, i cili sot që flasim mban postin e drejtuesit politik të Partisë Socialiste në Vlorë.

Mësohet se Rama nuk e ka ftuar Ahmetajn me vetëdije, për shkak se ky i fundit nuk është më i pëlqyer i shefit të qeverisë për shumë arsye, ku dështimi me rindërtimin dhe flirtet në rritje të zv/kryeministrit me presidentin në ikje, Ilir Meta janë “patatet e nxehta” që kanë thyer raportet. 

VoxNews ka raportuar më parë se mënjanimi i Ahmetajt nga ana e Ramës lidhet me faktin se ai është shndërruar në një kosto për Partinë Socialiste, ku nuk gëzon më as mbështetjen e vetë socialistëve që e kanë votuar, por edhe për procesin e rindërtimit, si dhe për shkak të hetimeve të Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionin sa i takon aferës së inceratorëve, ku zv/kryeministri është një ndër zyrtarët më të akuzuar nga qytetarët dhe opozita.

Rama injoron Ahmetajn, nuk shkon në takimet e asamblesë së PS në Vlorë

Ndërkohë për të treguar se ka një krisje të raporteve mes Ramës dhe Ahmetaj, gazeta po sjellë edhe disa episode të tjerë që tregojnë qartë se në horizont ka nisur “lufta”. Pak ditë më parë zv/kryeministri Arben Ahmetaj, ishte në orën 19:00 në asamblenë e Zgjeruar Socialiste të Bashkisë Vlorë në kuadër të takimeve për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj vendor në 61 bashkitë e vendit.

Në fjalën e tij nga takimi në Vlorë për zgjedhjen e drejtuesve të rinj të degëve, bëri me dije se Partia Socialiste ka nisur fushatën për mandatin e katërt qeverisës. Por ajo që Ahmetaj harroi t’u thoshte socialistëve të Vlorës ishte se Rama nuk erdhi sot sepse nuk ka marrëdhënie të mira me të.

Socialistët e Vlorës ishin lajmëruar nga strukturat se kryeministri Rama do ishte në 25 qershor në qytetin e Vlorës, por prezenca e Ahmetajt duket se nuk është mirëpritur mirë nga Rama. Zv/kryeministri të cilit iu besua rindërtimi nga pasojat e tërmetit duket se nuk gëzon më mbështetjen e shefit të vet. Ahmetaj nuk është perceptuar si një njeri i lidhur fort me Partinë Socialiste, por pas 2013-s ka qenë i lidhur fort me qeverisjen e socialistëve.

Dora e tij qëndron pas disa vendimeve e politikave të kontestuara edhe nga vetë deputetët e shumicës. Ndërkohë mësohet se Arben Ahmetaj është lënë mënjanë në dy mbledhjet më të rëndësishme të socialistëve brenda disa muaj më parë dhe si për të vulosur perceptimin se ai nuk gëzon më mbështetjen e Ramës, ra në sy edhe mungesa gjatë seancë së posaçme parlamentare për mesazhin e Presidentit të Ukrainës, Volodimir Zelensky.

Dhe ajo që e ka mbushur kupën është marrëdhënia e mirë e Ilir Metës, me Arben Ahmetaj pasi ai e prezantoi atë para ambasadorit britanik me pseudonimin “tigri”.


Ja si Rama shigjetoi Ahmetajn tek ndërtesat e rindërtuara

Edhe më herët kryeministri Edi Rama ka leshura kritika të hapura ndaj zv/kryeministrit Arben Ahmetaj. Zoti Rama ndodhej në Manzë të Durrësit, ku u nguruan disa shtëpi të reja, ndërsa u prit me ëmbëlsira në një familje. Teksa iu ofrua karamele në shenjë mirëseardhje në shtëpinë e një çifti të moshuarish, Rama theksoi se nuk do sepse është “i ëmbël vetë”, duke kërkuar t’i jepeshin dy karamele ministrit Arben Ahmetaj, sipas tij, ai është i hidhur.

“Jam shumë i ëmbël vetë, jepja këtij dy se ky është i hidhur”, deklaroi ai. Pra nëse shihet me kujdes, retorika e përdorur nga Rama, kjo deklaratë, jo vetëm që është injorim dhe sulm ndaj zv/kryeministrit Ahmetaj, por tregon se ai nuk është më i preferuara i shefit të qeverisë. Megjithatë, mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

Premtimi i pambajtur nga qeveria

Kujtojmë se në Prill të këtij viti, nuk do të kishte më shenja nga tërmeti i nëntorit 2019, sipas një premtimi të ministrit të Rindërtimit Arben Ahmetaj. Në dy prej zonave më të goditura në Durrës dhe Kombinat në Tiranë, duket se shumë banesa të dëmtuara.

“Premtimi jonë i bazuar në procese konkrete, është që në pranverën e vitit 2022, diku në prill, nuk do ketë më asnjë shenjë nga tërmeti i 2019”, u zotua Ministri i Rindërtimit Ahmetaj një vit më parë. Kjo deklarata u pasua nga disa të tjera, të cilat shtynin gjithmonë e më shumë afatet e procesit të rindërtimit, sa më shumë afroheshin afatet e premtuara.

Në 20 prill të këtij viti, ministri Ahmetaj teksa ndau me mediat vendimet e qeverisë në kuadër të afateve për procesin e rindërtimit deklaroi se pjesa më e madhe e rindërtimet do të mbaronte në prill të këtij viti.

“Përveç disa institucioneve publike dhe zonës së Kombinatit, pjesa më e madhe e rindërtimit, kryesisht të banesave individuale dhe pallateve e shkollave mbaron në vjeshtë të këtij viti”, tha ai. Madje, edhe pak javë më parë Ahmetaj premtoi se procesi i rindërtimit do marrë fund në prill. “Për të qenë më realistë, unë mendoj që deri në maj të vitit 2022 ne do t’i kemi zhdukur të gjitha pasojat e tërmetit, të gjitha.

Për kuriozitet shkoni në Thumanë, në Fushë Krujë. Do të shikoni jo rindërtim, por rikrijim. Shkoni te “5 Maji” të shijoni se çfarë po ndodh dhe se çfarë do të ndodhë. Rikrijim”, nënvizoi Ahmetaj.


Video