
Një ndeshje futbolli në divizionin e dytë të Spanjës është shndërruar në një skenë dramatike, pas një përplasjeje të frikshme mes sulmuesit të Tenerife, Jesus de Miguel, dhe portierit të Andorrës, Owono.
Takimi, i rëndësishëm për mbijetesën në kampionat, ishte në shifrat 2-2 dhe kishte prodhuar tashmë nga një karton të kuq për secilën skuadër. Por ajo që ndodhi në minutën e tetë të kohës shtesë kaloi çdo dimension sportiv.
Tenerife po kërkonte me ngulm golin e fitores, kur Jesus de Miguel u nis me shpejtësi drejt një topi të gjatë. Sulmuesi arriti të kalonte dy mbrojtës kundërshtarë, por në momentin që iu afrua portës, u përplas fuqishëm me portierin e Andorrës, Owono, i cili kishte dalë larg zonës së tij, pothuajse në mesin e fushës.
Përplasja ishte jashtëzakonisht e fortë. Gjuri i portierit goditi në gjoks sulmuesin 30-vjeçar, i cili u rrëzua menjëherë në fushë dhe mbeti pa ndjenja. Lojtarët e të dyja skuadrave kërkuan me urgjencë ndërhyrjen e stafit mjekësor, ndërsa gjyqtari ndëshkoi me karton të kuq portierin e Andorrës. Në atë moment, rezultati dhe fati i ndeshjes nuk kishin më asnjë rëndësi.
Në një heshtje të rëndë në stadium, Jesus de Miguel u nxor nga fusha me barelë dhe u transportua fillimisht me ambulancë, për t’u dërguar më pas në spital. Sipas raportimeve të mediave spanjolle, rreth 15 minuta pas përplasjes, sulmuesi nisi të merrte frymë vetë, megjithëse vazhdonte të ishte pa ndjenja. Kontrollet e para mjekësore evidentuan një arrest kardiak. Futbollisti 30-vjeçar mbetet i shtruar në repartin e kujdesit intensiv, ndërsa gjendja e tij raportohet si e qëndrueshme.