
Në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) po vijon seanca gjyqësore ndaj ish-çiftit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, të cilët janë të pranishëm në sallën e gjyqit.
Në nisje të seancës, Meta parashtroi tre kërkesa përpara gjykatës. Ai kërkoi të largohej nga kafazi i xhamtë dhe të ulej pranë avokatit të tij mbrojtës, të lejohej transmetimi me kamera i procesit gjyqësor, si dhe të verifikoheshin pajisjet e përgjimit në ambientet e paraburgimit, ku pretendon se mund të përgjohet gjatë takimeve me avokatin Bujar Musta.
Prokurori Arben Kraja kundërshtoi kërkesën për lejimin e kamerave në sallën e gjyqit. Sa u përket pretendimeve për përgjimin në paraburgim, ai argumentoi se kjo çështje nuk është në kompetencën e SPAK. Ndërsa për kërkesën e daljes nga kafazi i xhamtë, ia la vendimmarrjen gjykatës.
Pas shqyrtimit të kërkesave, trupi gjykues vendosi të rrëzojë dy prej tyre. Për pretendimet e Metës lidhur me përgjimin e komunikimeve me avokatin, gjyqtari Erion Bani bëri me dije se çështja do t'i përcillet Drejtorisë së Burgjeve.
Seanca e sotme zhvillohet në kuadër të shqyrtimit në themel të çështjes penale ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.