Skandal i madh korrupsioni në Ukrainë, arrestohen disa zyrtarë të lartë!

2025-08-03 08:59:09Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Autoritetet ukrainase kanë njoftuar arrestimin e disa zyrtarëve në kuadër të një hetimi për një skandal korrupsioni, që përfshin figura politike dhe ushtarake të lidhura me blerjen e dronëve dhe pajisjeve për luftë elektronike.

Sipas deklaratës së Agjencisë Kombëtare për Luftën kundër Korrupsionit, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale kundër Korrupsionit është zbuluar një “rrjet korrupsioni i përmasave të mëdha” që përfshin një deputet të parlamentit ukrainas.

Hetimet lidhen me furnizime të pajisjeve ushtarake për nevojat e Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Agjencia Kombëtare për Luftën kundër Korrupsionit njoftoi se janë arrestuar katër persona, pa bërë publike emrat apo funksionet e tyre.

Zyrtarë vendorë dhe anëtarë të Gardës Kombëtare janë gjithashtu nën hetim për përfshirje në këtë skemë.

Ministri i Brendshëm, Ihor Klymenko, deklaroi se anëtarët e Gardës Kombëtare të dyshuar për përfshirje janë pezulluar nga detyra.

Sipas hetimeve, gjatë periudhës 2024–2025, të dyshuarit kanë shpërdoruar fonde publike të destinuara për pajisje ushtarake, përfshirë blerjen e dronëve FPV (me pamje të drejtpërdrejtë) dhe sisteme për luftë radio-elektronike.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, falënderoi institucionet kundër korrupsionit për angazhimin e tyre, duke deklaruar: “Është thelbësore që këto institucione të funksionojnë në mënyrë të pavarur. Ligji i miratuar të enjten i jep atyre të gjitha mjetet e nevojshme për të luftuar realisht korrupsionin.”


Video