Pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri “Për fondet e pensionit privat”, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka nisur edhe hartimin e rregulloreve të reja në mbështetje të këtij ligji.
AMF ka hedhur për konsultim projektrregulloren “Licencimin dhe rregullat shtesë të licencimit të shoqërisë administruese të fondeve të pensionit privat dhe depozitarit të fondeve të pensionit privat të themeluara në Republikën e Shqipërisë”.
Kapitali minimal për licencimin e shoqërisë administruese të Fondit të Pensionit është të paktën 15.8 milionë lekë dhe shoqëria që aplikon për licencë duhet të depozitojë dokumente që dëshmojnë se kapitali minimal fillestar është paguar plotësisht në para dhe se kapitali rrjedh nga burime të ligjshme, së bashku me dokumentacionin për përmbushjen e kritereve të tjera juridike dhe financiare për licencim.
Shoqëria që aplikon për licencë duhet të paraqesë gjithashtu planin e biznesit për një minimum prej pesë vjetësh, ku përshkruhen veprimtaria që synon të zhvillojë aplikanti, mënyra se si do të plotësohen kërkesat për mjaftueshmërinë e kapitalit dhe se si do të zhvillohet biznesi i parashikuar.
Autoriteti kryen shqyrtimin brenda tre muajve nga plotësimi i të gjithë dokumentacionit të kërkuar për licencim. Në rastin e refuzimit të kërkesës për licencim, shoqëria administruese e fondeve të pensionit privat nuk mund të aplikojë përsëri për licencim pa kaluar një vit nga data e refuzimit të kërkesës së mëparshme.
Çdo individ ose person juridik, i cili synon të marrë drejtpërdrejt ose në mënyrë të tërthortë apo të rrisë pjesëmarrjen në një shoqëri administruese të fondeve të pensionit privat, e cila arrin ose tejkalon pragun prej 10%, 20%, 30%, 50% ose 75% të aksioneve në kapital ose të të drejtave të votës, duhet të marrë paraprakisht miratimin e Autoritetit. AMF miraton ose refuzon kërkesën e individit ose personit juridik për t’u bërë aksionar influencues për të rritur ose zvogëluar pjesëmarrjen në shoqëri brenda 3 muajve nga data e njoftimit të plotë.
Autoriteti në vendimin për miratimin e pjesëmarrjes influencuese në shoqërinë administruese të fondeve të pensionit privat mund të përcaktojë kufirin maksimal të interesit, që lejohet të arrijë ky individ ose personi juridik, duke arsyetuar vendimin.
Shoqëria administruese e fondeve të pensionit privat mund të blejë dhe të zotërojë aksione në një tjetër shoqëri administruese të fondeve të pensionit privat me kusht që të blejë dhe të zotërojë 100% të aksioneve të kësaj shoqërie të blerë. Blerja e të gjitha aksioneve të shoqërisë administruese të fondeve të pensionit privat nga një shoqëri tjetër administruese të fondeve të pensionit privat kërkon miratimin paraprak me shkrim nga Autoriteti. Shoqëritë administruese të fondeve të pensionit privat mund të bashkohen vetëm me miratimin paraprak me shkrim të Autoritetit.
Shoqëria administruese e fondeve të pensionit privat për çdo fond pensioni privat, duhet të emërojë një depozitar, i cili duhet të jetë i licencuar nga Autoriteti.
Vetëm një bankë ose degë e një banke të huaj, e regjistruar në Republikën e Shqipërisë dhe e licencuar nga Banka e Shqipërisë për ruajtjen dhe administrimin e instrumenteve financiare për llogari të klientit, duke përfshirë kujdestarinë dhe shërbimet e depozitarit dhe të besimit, mund të licencohet për të vepruar si depozitar i fondeve të pensionit privat në Republikën e Shqipërisë. Depozitari është përgjegjës për ruajtjen e të gjithë pasurisë së fondeve të pensionit privat.
Personi juridik që aplikon për licencë për ushtrimin e veprimtarisë së depozitarit duhet të paraqesë dokumente që vërtetojnë zotërimin e infrastrukturës së nevojshme për kujdestarinë e aktiveve që mund të regjistrohen në një llogari të instrumentit financiar të hapur në librat e depozitarit.
Licencat aktuale për fonde të pensionit privat dhe depozitarë do të vazhdojnë të jenë të vlefshme edhe pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri dhe rregullores së re të licencimit të tyre. Këto subjekte do të kenë një afat kohor prej 18 muajsh për të përshtatur aktivitetin e tyre në përputhje me të gjitha kërkesat e ligjit të ri dhe rregulloreve në mbështetje të tij.