Qeveria do të rishikojë me rritje taksat mbi pasuritë e paluajtshme në tre vitet në vijim sipas Strategjisë së re fiskale 2024-2027.
Aktualisht, taksa mbi pasuritë e paluajtshme në Shqipëri kontribuon në masën 0.3% të PBB-së, ndërkohë që të ardhurat mesatare që gjenerohen nga taksa e pronës në vendet e tjera të rajonit janë rreth 0.8% e PBB-së.
Për këtë qëllim po përgatitet kadastra fiskale dhe do të nisë zbatimi i taksimit bazuar në vlerën e tregut për ndërtesat duke filluar nga viti 2026, si dhe zbatimi i taksimit bazuar në vlerën e tregut për parcelat duke filluar nga viti 2028.
Në vitin 2018 u miratuan ndryshimet në skemën e taksimit të pasurive të paluajtshme, ndërtesa, duke kaluar nga taksa me kuotë fikse për m2, në taksën ad valorem pra me përqindje mbi vlerën e pasurisë së paluajtshme-ndërtesë.
Kjo reformë u shoqërua me krijimin e Kadastrës Tatimore dhe të Regjistrit të pasurive të paluajtshme ku evidentohen pasuritë e paluajtshme, pronarët, vendndodhja, vlera e pronës dhe të dhëna të tjera.
Miratimi i ligjit u shoqërua me vendosjen e disa përjashtimeve nga pagesa e taksës. Strategjia e re fiskale argumenton se, nga vlerësimet paraprake vërehet se disa përjashtime duhet të eliminohen, si dhe ka hapësirë që të mund të rritet edhe norma e taksës së pronës.
Në shërbim të rritjes së tatimeve mbi pronat do të hartohet një ligj të ri “Për taksën e pasurisë”. Ky ligj hartohet me asistencën e Agjencisë Ndërkombëtare Suedeze për Zhvillim (SIDA) dhe do jetë në proces konsultimi publik.
“Do të ketë rishikime të përjashtimeve nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme. Duke qenë se të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave të pushtetit vendor, është e nevojshme që përjashtimet të mbahen në nivele minimale dhe ndërkohë, lehtësirat tatimore për grupet vulnerabël duhet të ofrohen nëpërmjet mekanizmave dhe formave të tjera”, referohet ne draft.