Zgjerohen blerjet online. Cilat ndërmarrje shesin më shumë produkte?

20 September 2024, 13:39Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Zgjerohen blerjet online. Cilat ndërmarrje shesin më shumë

Të punësuarit të cilët kanë përdorur kompjuterin me akses në internet për qëllime pune gjatë vitit 2024 kanë përshpejtuar ritmin e rritjes, nëse do ta krahasonim me një vit më parë. Sipas të dhënave të ‘Institutit të Statistikave’, mbi përdorimin e teknologjisë së informacionit në ndërmarrje, punonjësit që kanë përdorur kompjuter me akses në internet për qëllime pune përbëjnë 32.4% të të punësuarve gjithsej të ndërmarrjeve, nga 29.9% që rezultuan në vitin 2023. Pra, kemi të bëjmë më një rritje prej 2.5 pikë.

Ndërmarrjet me 10 e më shumë të punësuar që kanë përdorur kompjuter me akses në internet për qëllime pune gjatë vitit 2024, përfaqësojnë 99.3% të ndërmarrjeve, nga 99.1% që rezultuan në vitin 2023. Gjatë vitit 2024, përqindja e ndërmarrjeve të cilat kanë specialist të fushës së teknologjisë së informacionit dhe komunikimit është 29.7%, nga 28.4% që rezultoi në vitin 2023.

Por në cilin aktivitet ekonomik është përqindja më e lartë e të punësuarve që përdorin kompjuter për qëllime pune? Sipas INSTAT, përqindja më e lartë e të punësuarve që përdorin kompjuter me akses në internet vërehet në aktivitetin e informacionit dhe komunikimit me 74.8%, e ndjekur nga aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 65.7% dhe shërbimet administrative dhe mbështetëse me 59.1%.

Nga të dhënat e reja për vitin aktual, 24.5% e ndërmarrjeve kanë shitur produkte/shërbime nëpërmjet faqes së internetit, aplikacioneve të dedikuara, faqeve të internetit e-commerce dhe aplikacioneve të përdorura nga ndërmarrje të ndryshme për tregti të produkteve. Ky tregues ka shënuar një rritje të konsiderueshme prej 9.7%, krahasuar me vitin 2023.

Peshën më të madhe të tregtisë elektronike e zënë ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitet në fushën e Akomodimit dhe Shërbimit Ushqimor me 45.3%, pasuar nga aktivitetet e Informacionit dhe Komunikimit me 38.0% dhe Tregtia me shumicë dhe me pakicë me 36.2%.


Video