Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, që mat rritjen e çmimeve sipas metodologjisë së ‘Agjencisë Europiane të Statistikave’, në muajin Gusht të vitit 2024 regjistrohet në 2.4%. Nga të dhënat rikujtojmë se inflacioni po për të njëjtin muaj të këtij viti sipas metodologjisë së ‘INSTAT’ është 2.0%. Rikujtojmë se në të dyja rastet inflacioni përllogaritet nga i njëjti institucion, por ka diferenca të vogla për shkak të peshës që i jepet secilit grup në normën e inflacionit.
Krahasuar me vendet e tjera të Europës, Shqipëria është barazuar me kufirin mesatar të Bashkimit Europian. Këtë e pohojnë edhe shifrat e këtij treguesi për muajin Gusht, ku rezulton se mesatarja e rritjes së çmimeve në Europë për të njëjtin muaj regjistrohet në 2.4%. Janë një sërë vendesh që barazuar me msataren e BE-së për muajin Gusht, ku ndër to mund të përmendim Austrinë, Maltën, Spanjën, Çekinë, dhe Bullgarinë.
Ndërkohë, nga ana tjetër, vendet me normën më të lartë të çmimeve në Europë janë Rumania me 5.3%, Serbia me 4.4% dhe Islanda me 4.3%. Në nivel rajoni, më mirë së Shqipëria paraqitet Mali i Zi me një normë të rritjes së çmimeve deri në 2%. Nga ana tjetër, inflacioni në Maqedoninë e Veriut vlerësohet në 3.1%.
Nëse do të flasim për ndryshimet e grupeve kryesore, të dhënat tregojnë se rritja më e madhe e çmimeve prej 4.3% vërehet në grupin “Shërbimi arsimor”, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 3.6%, “Veshje dhe këpucë” me 3.5% dhe “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 3.3% secili. Nga ana tjetër, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” u rritën me 2.3%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 2.2%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2.1%, “Shëndeti” me 1.9%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1.5%, “Komunikimi” me 0.6%. Ndërkohë, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 1.6%.