Korçë-Ersekë, modifikim projekti, Qeveria do të paguajë dhe 4.3 milionë euro shtesë

17 Shtator 2024, 12:38Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Qeveria shqiptare do të paguajë edhe 4.3 milionë euro të tjera shtesë për rrugën Korçë-Ersekë. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka modifikuar kontratën me kompania ndërtuese të rrugës A.N.K duke shtuar kostot për realizimin e punimeve të reja në terren. Kjo e çon koston totale të pjesës së dytë, të lotit të dytë të kësaj rrugë në 26 milionë euro pa TVSH.

ARRSH nuk ka hapur tender të ri për punimet shtesë, por ato do të realizohen nga kompania ANK, që ka qenë fituese e projektit fillestar, duke argumentuar se kjo formë rezulton më pak e kushtueshme. Gjithashtu, kontrata shtesë nuk kalon 20% të vlerës së kontratës bazë, që është pragu i lejuar nga legjislacioni në fuqi për modifikimin e kontratave. Autoriteti kontraktor vlerëson se kostoja e përgjithshme e punimeve shtesë është 19 %.

Sa i takon ndryshimeve të projektit, në dokumente thuhet se është kryer rishikim i projektit të urës mbi përroin e Selenicës, pasi gjatë zbatimit rezultoi se ura e parashikuar në projektin e tenderuar nuk e mbulonte gjerësinë e shtratit të lumit, i cili në periudha të ndryshme të vitit zgjeron shtratin e tij.

Po ashtu, është kryer rishikim i projektit në lidhje me përmirësimin e tabanit të rrugës për shkak se gjatë zbatimit të punimeve është hasur prezencë e ujërave në thellësinë e gërmimit 2.5 – 3 m.

Shkak për modifikimin e kontratës është bërë edhe ndryshimi i volumeve për shkak të mospërputhjes së projektit me faktin në terren, si dhe mospërputhje e projektit me preventivin. Modifikimi i kontratës është firmosur në 30 gusht, ndërsa afati për përfundimin e punimeve ka shkuar në 22 muaj, nga 18 muaj që ishte afati fillestar.


Video