Çfarë po ndodh me kreditimin? Paralajmërimi i BSH-së dhe pamundësia e familjeve për të paguar: A rrezikojmë një kolaps ekonomik?

20 Shtator 2024, 11:56Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Prej kohësh Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar bankat e nivelit të dytë që të kenë kujdes në dhënien e kredive. Ndërkohë, së fundmi bankat kanë forcuar dhënien e kredive. Nga ana tjetër familjet shqiptare gjenden në vështirësi në shlyerjen e kësteve.

Por çfarë po ndodh në këtë sektor? A mos po kthehet në një flluskë dhe mund të krijojnë një kolaps ekonomik? Pse bankat kanë rritur nivelin e ruajtjes së parave?

Ky dyshim konfirmohet dhe nga të dhënat e fundit ku familjet shqiptare kanë pasur vështirësi në shlyerjen e kredisë gjatë gjysmës së parë të vitit. Pesha e familjeve që kanë një hua për të paguar nuk ka ndryshuar, ndërsa aftësia paguese e familjeve është dobësuar në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar, por paraqitet më e mirë se një vit më parë.

Rezultatet e vrojtimit të Bankës së Shqipërisë mbi gjendjen financiare dhe ngarkesën me borxh të familjeve për gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, tregojnë që rreth 24% e familjeve kishin të paktën një hua për të paguar. Kjo peshë ka mbetur e pandryshuar vlerësuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke qëndruar nën mesataren historike të treguesit prej 27%.

Rreth 74% e familjeve kanë deklaruar se pagesa e huas zë “më pak se 30% të të ardhurave mujore” dhe ky tregues ka rënë me 9 pikë përqindje në terma gjashtëmujorë, por ka mbetur rreth 5 pikë përqindje më i lartë se viti i shkuar. Të njëjtat ndryshime në terma gjashtëmujorë dhe vjetorë paraqet edhe pesha e familjeve për të cilat pagesa e huasë tejkalon 30% të të ardhurave.

Paralajmërimi i Bankës Qendrore

Analizat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se sektori bankar ndodhet në një situatë të mirë financiare, por edhe nevojën për të marrë disa masa parandaluese.

Sipas raportit të fundit të Stabilitetit Financiar, këto masa lidhen kryesisht me nevojën për të ngadalësuar shpejtësinë e ciklit financiar (të rritjes së kreditimit) dhe për të rritur rezistencën e bankave ndaj ekspozimeve me rrezik.

Raporti nënvizon se kredia bankare shënoi rritje të ndjeshme gjatë periudhës. Në terma vjetorë, kredia u zgjerua me 11.1%, ndërsa në krahasim me fundin e vitit 2023, ajo u rrit me 7.1%. Në këtë ecuri ndikoi kryesisht rritja e fortë e kredisë në Lek, rritja e kredisë afatgjatë dhe rritja e kredisë për bizneset.

Edhe kredia për jorezidentët u rrit gjatë periudhës, por mbeti pranë niveleve të një viti më parë. E korrigjuar për efektin e kursit të këmbimit, rritja vjetore e kredisë do të ishte rreth 14%.

Një prej segmenteve të kredisë me rritjen më të shpejtë gjatë viteve të fundit është kredia për blerjen e pasurive të paluajtshme. Për shkak të kërkesave të sektorit bankar për mbulimin e kësaj lloj kredie me kolateral në formën e pasurive të paluajtshme, kjo lloj kredie dhe kolaterali mbështesin në mënyrë të ndërsjellë kahun e ndryshimit të vlerave të njëri-tjetrit, duke përforcuar ekspozimin e sektorit bankar ndaj zhvillimeve në tregun e pasurive të paluajtshme.

Edhe pse mungon aftësia paguese rritet kërkesa për kredi, por bankat po tregohen më përzgjedhëse

Kërkesa e sektorit privat për kredi shënoi rritje të ndjeshme në gjysmën e parë të këtij viti.

Rritja ka ardhur nga të tre segmentet e klientelës, por ka qenë më e dukshme në grupin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (rritje përkatësisht 29% krahasuar me një gjashtëmujor më parë dhe 37% krahasuar me një vit më parë) dhe në segmentin e individëve (rritje përkatësisht me 6.4% krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm dhe me 10.4% krahasuar me një vit më parë).

Gjatë gjashtëmujorit të parë 2024, bankat raportuan se kanë marrë në shqyrtim gjithsej 72,418 aplikime për kredi, nga të cilat 91% i përkasin segmentit të individëve. Kjo shpërndarje ka shënuar një zhvendosje të lehtë në favor të ndërmarrjeve, si krahasuar me periudhën e kaluar, ashtu edhe krahasuar me një vit më pare.

Megjithëse kërkesa për kredi ka shënuar rritje të ndjeshme, duket se në gjysmën e parë të këtij viti bankat janë treguar më përzgjedhëse.

Në totalin e aplikimeve të marra në shqyrtim gjatë periudhës, rezulton se rreth 25% e tyre janë refuzuar nga bankat. Kjo normë ka shënuar rritje, me 4.3 pikë përqindjeje më shumë se gjashtëmujorin e dytë 2023 dhe 2.7 pikë përqindjeje më shumë krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.

Megjithatë, rritja e refuzimeve të bankave në gjysmën e parë të vitit 2024 ka ndodhur vetëm kundrejt kategorisë së “individëve”, ndërkohë që ky tregues ka rezultuar në rënie për të dyja kategoritë e bizneseve, si në terma gjashtëmujorë, edhe në terma vjetorë. Pra, bankat kanë shfaqur një prirje në rritje për të kredituar bizneset.

Bankat rrisin në 21.6% rezervën në rast falimentimi

Pesë nga 11 banka në vendin tonë e kanë përmbushur objektivin prej 18.2% të Bankës së Shqipërisë për mbajtjen e një sasie të caktuar kapitali dhe instrumentesh financiare, si për shembull obligacione, sasi e cila përdoret si rezervë për kompensimin e humbjeve të bankave, në rast se këto të fundit përballen me kriza financiare ose rrezikojnë falimentimin.

Në raportin mbi ecurinë e kërkesës minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara, MREL, theksohet që bankat e kanë tejkaluar këtë objektiv në gjysmën e parë të vitit, duke arritur një mesatare prej 21.6% në rezerva. Kjo nënkupton se ato kanë lënë mënjanë mjaftueshëm para dhe instrumente financiare për të përballuar kriza të mundshme.

Në Shqipëri, 5 banka konsiderohen si kritike për stabilitetin financiar, pasi kontrollojnë rreth 75% të totalit të aktiveve bankare. Si rezultat, vetëm këtyre bankave u kërkohet që të përmbushin këtë objektiv, për shkak se një problem financiar i tyre mund të shkaktojë kolapsin e të gjithë sistemit./ VoxNews

 

Video