Turizmi elitar ka rritur të ardhurat në buxhetin e shtetit. Nga janari në fund të gushtit nga taksa e karburanteve u mblodhën 10 milionë euro të ardhura, vetëm nga jahtet dhe krocerat e furnizuara në Portin e Durrësit.
Karburanti i shitur për jahtet dhe krocerat që vizituan vendin tonë këtë vit ka sjellë të ardhura shtesë në buxhetin e shtetit. Sipas të dhënave të dala nga Porti i Durrësit në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, të ardhurat nga taksat kanë qenë 10 milion euro, ose 1 milion euro më shumë se një vit më parë. Këtë periudhë të vitit Portin e Durrësit e kanë vizituar 450 jahte dhe 13 kroçera të cilat I kanë rritur të ardhurat nga ky zë me 17 për qind.
“Në janar-gusht 2023, u furnizuan me 18,995 ton karburante, dhe të ardhurat nga Taksa Kombëtare arritën në 910 milionë lekë. Në të njëjtën periudhë të vitit 2024, me 22,230 ton, dhe të ardhurat arritën në 1,065 milionë lekë. Kjo tregon vazhdimësinë e një sezoni të suksesshëm turistik dhe zgjerimin e aktivitetit të mjeteve lundruese, thuhet në një deklarim të dalë nga kapiteneria e portit të Durrësit.
Prej vitit 2022, jahtet që furnizohen me karburant në zonën e lirë doganore taksohen 40 lekë për litër karburant. Nga analiza e shifrave vihet re rritje e të ardhurave, ku në 2022 ishin 6 milion euro, në 2023 ishin 9 milion euro dhe në 8 muaj të këtij viti 10 milionë euro.