Statistikat zyrtare konfirmojnë se ky sezon veror ka shënuar një rritje të konsiderueshme të numrit të vizitorëve, në krahasim me vitin e kaluar.
Instituti i Statistikave publikoi raportin për strukturat akomoduese gjatë muajit korrik, sipas të cilit, numri i vizitorëve është rritur me 35,9 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të INSTAT, numri i vizitorëve rezident është rritur me 8,9%, ndërsa vizitorët jo-rezident kanë shënuar një rritje me 53,1%.
Sipas Institutit të Statistikave, gjatë muajit korrik norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 49,3 %, kundrejt 44,8 % që ishte në muajin Korrik 2023.
Ajo që bie në sy gjatë këtij sezoni veror është kohëzgjatja e pushimeve. Numri i netqendrimeve është rritur me 16,1% në krahasim me vitin 2023. Turistët e huaj kanë qëndruar më gjatë kryesisht në zonat bregdetare.
Një rritje të konsiderueshme ka pësuar edhe numri i vizitorëve jorezidentë nga Kosova. Në krahasim me vitin e kaluar ata kanë shënuar një rritje me 14,3%. Numër të lartë vizitorësh gjatë muajit korrik ka patur nga Italia, Polonia, Gjermania dhe Maqedonia e Veriut.