Kufizime në pagesat që kryhen me para në dorë, ulet vlera e lejuar për biznesin

23 Shtator 2024, 09:18Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Qeveria shqiptare dhe Banka Qendrore synojnë që deri në vitin 2027 të ulin më tepër përdorimin e pagesave me para në dorë në ekonomi, të rrisin pagesat nëpërmjet e-banking, transaksionet nëpërmjet faturave e-invoice pa para në dorë dhe numrin e bizneseve që përdorin POS në ambientet e aktivitetit të tyre.

Në vijim do të zbatohet një plan masash nga administrata tatimore, ku pjesë e prioriteteve 4 vjeçare do të jetë ulja e parasë cash nëpërmjet përdorimit të terminaleve POS në Shqipëri.

Konkretisht, gjatë viteve të ardhshme parashikohet vendosja e një limiti për pagesat cash mes individëve, reduktimi i metejshëm për pagesat me para në dorë mes bizneseve nga 150.000 lekë që është aktualisht, si dhe krijimi i rregullave të riskut, të cilat evidentojnë tatimpaguesit që fragmentizojnë faturat për të mos kaluar limitin që përcakton ligji, tatimpaguesit që kanë nivel anormal të faturimit cash krahasuar me të ngjashmit e tyre.

Gjithashtu, brenda vitit 2025 do të krijohet një grup pune mes Ministrisë së Financave, Bankës së Shqipërisë dhe Shoqatës së Bankave për të ulur komisionet e përdorimit të terminaleve POS mes bankave të nivelit të dytë dhe tatimpaguesve, e thënë ndryshe bizneseve.

Megjithëse vitet e fundit ka patur një rritje të lehtë të përdorimit të kartave dhe pagesave elektronike, kryerja e pagesave me para në dorë në Shqipëri vazhdon të mbetet ende i lartë në krahasim me vendet e tjera evropiane. Kjo përqindje e lartë është ndikuar nga kultura jonë e kryerjes së pagesave me para në dorë, normat e ulëta të interesit për depozitat, mosinstalimi i terminaleve POS në të gjitha pikat e shitjes me pakicë dhe të tjera.

Video